Përfaqësuesja e Kosovës U15 barazoi para dy ditësh me Bullgarinë e kësaj grupmoshe me rezultatin 1:1. Me të njëjtin rezultat është mbyllur edhe miqësorja e zhvilluar të enjten gjatë ditës në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.
Petar Blagoev shënoi për bullgarët në minutën e 16-të me gjuajtje me kokë nga afërsia.
“Dardanët” e rinj e barazuan rezultatin në minutën e 69-të.
Shënues ishte Unejs Mustafa.
Deri në fund raste pati, por jo edhe gola të shënuar. Me paraqitjet e Kosovës U15 në këto dy ballafaqime, i kënaqur është ndarë përzgjedhësi Ilir Nallbani.
“Për këto dy ndeshje e kemi bërë një seleksionim të lojtarëve bashkërisht me trajnerin Mehmet Kurda, duke marrë lojtarë nga kampionati vendor dhe Diaspora. Jemi të kënaqur me motivin dhe dëshirën e shfaqur nga lojtarët. Edhe sot na ndodhi që në pjesën e parë të pësojmë gol dhe të mos luajmë mirë, por në pjesën e dytë e morëm sërish veten dhe luajtëm ashtu siç pritej. Tani këtë gjeneratë të futbollistëve ia kam dorëzuar kolegut Kurda dhe shpresoj se këta futbollistë të kenë sa më shumë ndeshje të tilla, në mënyrë që të vazhdojnë rritjen e tyre në ekipet zinxhirë dhe kur të shkojnë te trajneri Arbnor Morina në Kombëtaren U17 të jenë sa më të gatshëm për garat evropiane. Ndërkaq, ne në Kombëtaren U15 vazhdojmë me gjeneratën e lindur në 2010, me të cilën i kemi dy ndeshje në Shqipëri dhe vazhdojmë punën për ta përgatitur një tjetër gjeneratë të suksesshme”, ka theksuar Nallbani për faqen zyrtare të FFK-së.