Ndonëse pa Edon Zhegrovën, Aro Muriqin e Florent Muslijën dhe me shumë ndryshime të tjera në formacion, Kosova ka dominuar plotësisht ndaj Qipros, të hënën mbrëma në Larnaca. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll shënoi fitoren e parë në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.

Kosova fitoi me rezultatin 4:0 ndaj qipriotëve që ishin inferiorë në fushë. Ndeshja u zhvillua në praninë e pak shikuesve, ndërsa u dominua plotësisht nga “Dardanët”.

Kosova bëri një lloj reagimi pas humbjes së thellë, 3:0, të premten në “Fadil Vokrri”. Po të premten, në ndeshjen tjetër të Grupit C2 të Ligës së Kombeve, Qiproja kishte fituar ndaj Lituanisë, 1:0.

Qipriotët, megjithatë, ishin pa gjasa në ndeshjen ndaj Kosovës.

Në pjesën e parë shkëlqyen Vedat Muriqi e Donat Rrudhani. Rrudhani mbuloi krahun e majtë të mbrojtjes dhe siguroi penallti të hershme. Nga pika e bardhë i saktë ishte Vedat Muriqi, që shënoi për 1:0 në minutën e nëntë.

Në minutën e 21-të, Rrudhani bëri krosim mjeshtëror, ndërsa edhe më bukur goditi Muriqi me kokë, që realizoi për 2:0.

Raste të tjera kishte Kosova në pjesën e parë, por gola të tjerë nuk u shënuan.

Në fillim të pjesës së dytë Albion Rrahmani hyri në vend të Muriqit, ndërsa Lumbardh Dellova e zëvendësoi Fidan Alitin.

Menjëherë në minutën e 48-të, Rrahmani shënoi për 3:0. Pas një aksioni, Milot Rashica shërbeu Albion Rrahmanin që realizoi nga afërsia. Për të ishte goli i parë me Kosovën.

Në minutën e 55-të, Rrudhani pasoi në zonë për Lumbardh Dellovën. Ai goditi saktë e fuqishëm për 4:0. Edhe Dellova realizoi golin e parë me Përfaqësuese.

Më pas rastin e fituan edhe Ilir Krasniqi, Emir Sahiti e Eliot Bujupi, për të cilin ishte debutim. 

Sahiti goditi shtyllën me goditje të bukur, ndërsa disa gjysmëraste i krijuan dy përfaqësueset. Por shifrat më nuk ndryshuan, 4:0  për Kosovën.

Fitorja mund të shërbejë edhe për të sjellë qetësi në Përfaqësuese, pas situatës së rëndë të krijuar të dielën. Selektori Franco Foda së bashku me FFK-në kanë larguar nga grumbullimi Zhegrovën, Aro Muriqin dhe Muslijën për shkelje të Rregullores. Është raportuar se ata dolën pa leje në klube të natës, gjatë periudhës së grumbullimit me Përfaqësuese.

Në vend të Zhegrovës rastin në sulm e fitoi Ermal Krasniqi. Visar Bekaj zuri vendin e Aro Muriqit në portë.

Në mesin e fushës krahas Elvis Rexhbeçajt e Valon Berishës u vendos edhe Lindon Emërllahu. Florent Hadërgjonaj mbuloi krahun e djathtë të mbrojtjes në vend të Mërgim Vojvodës së suspenduar, ndërsa Donat Rrudhani zuri vendin e Leart Paqaradës në krahun e majtë. Jashtë, në krahasim me ndeshjen ndaj Rumanisë, mbeti edhe sulmuesi Fisnik Asllani.

Kosova për herë të tretë ka fituar ndaj Qipros. Në vitin 2022, “Dardanët” kishin fituar 2:0 në Larnaca e 5:1 në Prishtinë.

Qiproja në asnjë moment nuk rrezikoi fitoren e Kosovës. Në ranglistën e FIFA-s, Kosova është e 106-ta, ndërsa Qiproja e 127-ta. Në kualifikimet për “Euro 2024”, qipriotët i kanë humbur të gjitha tetë ndeshjet.

Lojtarët e Kosovës luajnë në nivel dukshëm më të lartë se ata të Qipros, në nivel klubesh. Kështu që fitorja ishte e pritur dhe një detyrë që duhej kryer. Por, megjithatë, është e rëndësishme për shkak të rrethanave të krijuara.

Ndeshjen e ardhshme në kuadër të  Grupit 2 të Ligës C, Kosova e luan më 12 tetor në Kaunas ndaj Lituanisë. Edhe në atë ndeshje Kosova e ka “detyrë” fitoren.

Te Qipro të dëshpëruar me humbjen e thellë nga Kosova

7 muaj më parë / 9 sht 2024 21:47
Temur Ketsbaia

Seleksionuesi i Qipros, Temur Ketsbaia, nuk ka mundur ta fshehë zhgënjimin pas humbjes së thellë 4:0 në shtëpi të hënën ndaj Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ketsbaia në konferencë për media ka thënë se është dëshmuar se lojtarët qipriotë nuk ishin të përgatitur të luanin dy ndeshje për tri ditë.

“Kjo na tregoi se nuk ishim gati që në një kohë kaq të shkurtër të luanim dy ndeshje. Ishim të lodhur, të mbaruar nga fillimi. Nuk mund të luash në atë mënyrë kundër asnjë ekipi, e lëre me kundër Kosovës që ka cilësi. Jemi shumë të zhgënjyer me rezultatin dhe paraqitjen që patëm. Kur i bën këto gabime, nuk i shpëton humbjes. Kemi probleme sidomos në këtë periudhë që tani po fillojnë kampionatet. Lojtarët dhanë gjithçka që kishin në ndeshjen e parë, nuk kemi qenë konkurrues ndaj Kosovës. Ne nuk ishim të freskët, nuk ishim ata që duhet të ishim. Shumë gjëra kanë faj, do të doja të ishte vetëm një”, tha Ketsbaia. 

Mesfushori  Giorgos Malekkidis po ashtu tha se është humbje dëshpëruese. 

“Jemi shumë të pikëlluar. Duhet të jemi shumë më të gatshëm herën tjetër. Mendoj se mund të kishim vrapuar më tepër sot. Do ta analizojmë ndeshjen me trajnerin. Duhet të japim shumë më tepër”, tha Malekkidis. 

E mesfushori tjetër Kostakis Artymatas ka thënë se s’mund të renditë gjërat që shkuan keq. 

"Në 20 minutat e para i dhamë mundësi kundërshtarit për të kaluar në avantazh. S’mund të rendis gjërat që shkuan keq. Ne do të përpiqemi të përmirësohemi”, tha Artymatas. 

Foda refuzon t’i komentojë zhvillimet e fundit

7 muaj më parë / 9 sht 2024 20:53
Franco Foda

Franco Foda

Photo: Driton Paçarada

Selektori i Kosovës, Franco Foda ka refuzuar të komentojë vendimin për t’i larguar tre futbollistët, portierin Arijanet Muriq, sulmuesin Edon Zhegrova dhe mesfushorin Florent Muslija para ndeshjes ndaj Qipros.

Ai ka thënë se fokusi i tyre ka qenë ndeshja ndaj Qipros.

“Federata ka dhënë një deklaratë, dhe unë si trajner dhe ekipi jemi fokusuar ndaj Qipros”, ka thënë Foda në konferencën për media.

Foda: Fitore e rëndësishme për të gjithë, edhe për presidentin

7 muaj më parë / 9 sht 2024 20:43
Franco Foda

Selektori i Kosovës, Franco Foda e ka vlerësuar fitoren ndaj Qipros. Tekniku gjerman ka theksuar se fitorja është e rëndësishme për të gjithë, edhe për presidentin e federatës.

“Fitore shumë e rëndësishme. Jo vetëm për ekipin, por edhe për presidentin, stafin e trajnerëve. Rezultat shumë i mirë pas rezultatit të keq me Rumaninë. Kemi luajtur mirë në thellësi, me kurajë përpara, jemi mbrojtur shumë mirë. Kemi shfrytëzuar rastet tona. Në përgjithësi një rezultat dhe një ndeshje shumë e mirë”, ka thënë Foda në konferencë për shtyp.

Supergol i Dellovës, 4:0

7 muaj më parë / 9 sht 2024 19:18
Dellova

Lumbardh Dellova po ashtu ka shënuar golin e parë për Kosovën. Ai goditi fuqishëm për 4:0 ndaj Qipros, në minutën e 55-të.

Dellova u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Fidan Alitit.

VIDEO:

Rrahmani shënon golin debutues te Kosova, 3:0

7 muaj më parë / 9 sht 2024 19:10
Albion Rrahmani

Albion Rrahmani ka shënuar golin e parë me Kosovën. Ai realizoi për 3:0 në minutën e  48-të. Asistues ishte Milot Rashica.

Rrahmani u aktivizua në vend të Vedat Muriqit të lënduar.

Në fillim të pjesës së dytë është aktivizuar edhe Lumbardh Dellova, në vend të Fidan Alitit.

VIDEO: 

Huliganët qipriotë me provokim të rëndë

7 muaj më parë / 9 sht 2024 19:07
Huligan

“Kosova është Serbi” është  panoja e shfaqur në ndeshjen Qipro – Kosova. 

Muriqi e pa këtë pano dhe kërkoi nga arbitri që ajo të largohet.

Për këtë arsye ndeshja u ndërpre për disa minuta.

Kosova bindëse në pjesën e parë

7 muaj më parë / 9 sht 2024 18:50
Vedat Muriqi

Kosova është paraqitur bindshëm në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Qipros. Kosova po udhëheq 2:0, falë golave të Vedat Muriqit.

Muriqi shënoi nga penalltia në minutën e nëntë. Penalltinë e siguroi Donat Rrudhani.

I njëjti lojtar në minutën e 21-të asistoi për Muriqin që goditi me kokë dhe shënoi gol të bukur për 2:0.

Ndërpritet shkurtazi ndeshja Qipro – Kosovë

7 muaj më parë / 9 sht 2024 18:35
Mesazhi fyes

Është ndërprerë ndeshja mes Qipros dhe Kosovës.

Vedat Muriqi i është afruar gjyqtarit dhe më pas lojtarët i janë drejtuar bankës së Kosovës.

Ndeshja u ndërpre për shkak të një mesazhi në tribuna që kishte përmbajtje politike, shkruajnë mediat qipriote.

Tjetër gol i Kosovës

7 muaj më parë / 9 sht 2024 18:21
Vedat Muriqi

Kosova e ka shënuar golin e dytë në ndeshjen ndaj Qipros.

Vedat Muriqi shënoi gol të bukur me goditje me kokë në minutën e 21-të.

Donat Rrudhani asistoi me krosim nga krahu i majtë.

VIDEO

Muriqiiiiii

7 muaj më parë / 9 sht 2024 18:09
Vedat Muriqi

Foto: Ilustrim

Kosova ka kaluar në epërsi ndaj Qipros. Për 1:0 shënoi Vedat Muriqi në minutën e nëntë, nga penalltia.

Donat Rrudhani u pengua në zonë.

Vetëm pak çaste më vonë Muriqi ishte afër ta dyfishonte epërsinë. Por, gjuajtja e tij përfundoi jashtë portës.

VIDEO

Penallti për Kosovën

7 muaj më parë / 9 sht 2024 18:08
Vedat Muriqi

Kosova ka fituar penallti në ndeshjen ndaj Qipros. 

Në minutën e tetë në zonë u pengua Donat Rrudhani.

Stadiumi thuajse i zbrazët në ndeshjen Qipro – Kosovë

7 muaj më parë / 9 sht 2024 18:00
Stadiumi

Nuk ka pasur shumë interesim për ndeshjen mes Qipros dhe Kosovës që fillon në ora 18:00.
Stadiumi “AEK Arena” në Larnaca është thaujse i zbrazët. 

Ndeshja i takon Ligës  së Kombeve.