Futboll

Kosova pëson tjetër humbje në kualifikimet për “Euro 2025”

Kosova Euro 2025

Përditësuar 18:56 -Futbollistet e Kosovës kanë pësuar tjetër humbje në kualifikimet për Evropianin e vitit të ardhshëm. 

Përfaqësuesja e Kosovës të premten në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, u mposht me rezultatin 1:0. 

Ballafaqimi i takoi Grupit 4 të Ligës B. 

Kosova pati mundësitë e veta në pjesën e parë, ndërsa mbeti me një futbolliste më pak në minutën e 42-të.

Mbrojtësja Blerta Smaili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja. 

Rastin më të mirë në pjesën e parë, Kosova e pati në minutën e dytë të shtesës. 

Pas bashkëveprimit të mirë me Elizabeta Ejupin, kapitenia Erëleta Memeti tentoi të shënonte, por gjuajtjen e saj e priti portierja kundërshtare dhe skuadrat shkuan në pushim 0:0.

Por, me të nisur pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 58-të, Kosova pranoi gol nga Ivana Rudeviq. Ajo shënoi nga afërsia pas harkimit të zëvendësueses Ella Ljustina. 

Futbollistet e drejtuara nga selektorja Karin Anneli Andersen u munduan ta barazonin rezultatin, por nuk ia arritën një gjëje të tillë, pavarësisht mundësive që iu shfaqën. 

Më 4 qershor, Kosova luan sërish ndaj Kroacisë, por në Karlovc. 

Kosova kishte ecuri prej 14 ndeshjeve pa humbje para ndeshjes së parë të Ligës B kundër Ukrainës. 

Nga ukrainaset u mposhtën 2:0 në ndeshjen e parë kualifikuese, ndërsa në duelin e dytë, humbi 6:0 nga Uellsi. 

Pas tri ndeshjeve të luajtura, Kosova është e fundit pa pikë. 

Kroacia tani ka gjashtë pikë në tri ndeshje.


Kosova pëson gol

Përditësuar 18:20 - Futbollistet e Kosovës kanë pësuar gol nga Kroacia në “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Në minutën e 58-të, Ivana Rudeviq shënoi nga afërsia pas harkimit të zëvendësueses Ella Ljustina.


Kosova lëshon rast të mirë dhe mbetet me një lojtare më pak

Futbollistet e Kosovës kanë lëshuar rast të mirë në fundin e pjesës së parë ndaj Kroacisë, në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Pjesa e parë mes Kosovës dhe Kroacisë është mbyllur 0:0, ndërsa i takon kualifikimeve për “Euro 2025”. 

Në minutën e parë të shtesës në pjesën e parë, Elizabeta Ejupi bashkëveproi me kapitenen Erëleta Memeti. Por, sulmuesja e Hoffenheimit, Memeti, nuk arriti të shënojë, pavarësisht se tentimi i saj ishte goxha i mirë. 

Kosova nga minuta e 42-të mbeti pa Blerta Smailin, që u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.