Futboll

Kosova kërkon fitore në Lituani

Kosova

Te përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka optimizëm të madh në prag të ndeshjes së tretë në edicionin aktual të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

“Dardanët” të premten pasdite e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes me Lituaninë. 

Të shtunën nga ora 15:00 në Kaunas do të përballen Lituania e Kosova, në kuadër të Grupit C2.

Kosova vlerësohet favorite e madhe ndaj Lituanisë, sidomos nëse për bazë merret niveli i klubeve ku luajnë lojtarët. Por nivelin superior, Kosova duhet ta shfaqë në fushën e lojës. Dhe kjo nuk pritet të jetë e lehtë. Lituania kërkon të reagojë pasi i humbi dy ndeshjet e para në grup. Në shtator u mposht fillimisht në shtëpi nga Qiproja e më pas në udhëtim nga Rumania. Por me Rumaninë, lituanët luajtën mirë dhe u mbajtën në lojë deri në fund.

Ndërkohë Kosova humbi 3:0 nga Rumania në Prishtinë e më pas fitoi 4:0 ndaj Qipros në Larnaca.

Në grumbullimin e shtatorit, atmosfera nuk ishte më e mira. Për shkak të shkeljes së rregulloreve, para ndeshjes me Qipron nga ekipi ishin larguar Edon Zhegrova, Florent Muslija e Aro Muriq.

Të tre janë kthyer për ndeshjet me Lituaninë e më pas me Qipron dhe Zhegrova e Muriq ka gjasa të mëdha të startojnë.

Atmosfera te Kosova vlerësohet të jetë e duhura, ndërsa selektori Franco Foda dhe kapiteni Amir Rrahmani e presin me optimizëm ndeshjen e së shtunës.

“Lituania është skuadër që luan mirë me topin, por jemi përgatitur për këtë ndeshje. Do të jetë një ndeshje e fortë, por në mendjen tonë është fitorja. Duhet të jemi kompakt në mbrojtje, por në të njëjtën kohë duhet ta bëjmë lojën tonë. Ne jemi të fokusuar që t’i fitojmë tri pikë nga kjo përballje”, ka theksuar Foda të premten në konferencë për shtyp.

Amir Rrahmani është pa konkurrencë në qendër të mbrojtjes, ndërsa mbetet të caktohet partneri i tij. Mërgim Vojvoda është favorit për të startuar në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Donat Rrudhani ka gjasa të startojë në krahun e majtë. Lojtari tjetër i krahut të majtë, Leart Paqarada, është larguar nga grumbullimi për shkak të një lëndimi.

Për shkak të lëndimit, mungon edhe lojtari kryesor i Kosovës, Vedat Muriqi.

Foda ka theksuar se ka opsione të bollshme për qendër të mbrojtjes.

“Lumbardh Dellova ka luajtur ndeshje të mirë ndaj Qipros, por të mos harrojmë se ndeshje të mirë ka treguar edhe Fidan Aliti. Kemi disa opsione, pra Fidan Aliti, Lumbardh Dellova, që kanë përvojë. Po ashtu edhe lojtarët e rinj, siç është edhe Andi Hoti. Në atë pozicion mund të luajë edhe Ilir Krasniqi. Kështu që opsionet janë të shumta. Ne kemi pasur disa seanca stërvitore, por e kemi edhe një seancë sot dhe pastaj do të qartësohet gjithçka sa i përket formacionit startues”, ka thënë tekniku gjerman.

Kapiteni Amir Rrahmani është njëri prej lojtarëve të Kosovës që luan në top-ligat evropiane. Ai është pjesë e Napolit. Lituania e ka vetëm një lojtar në ligat e mëdha, përkatësisht në Serie A. Dhe niveli i lojtarëve vlerësohet përparësi e madhe e Kosovës për ndeshjen e së shtunës.

“Jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje, sepse Lituania është ekip që luan futboll të mirë dhe ka posedim të topit. Duhet të shfrytëzojmë çdo moment. Do të zbresim nesër në fushë për fitore”, thotë Rrahmani.

Ndaj Qipros, Kosova luan të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45. Synimi nga ky grumbullim është të fitohen gjashtë pikë. Barazimi apo humbja në secilën ndeshje do të ishte dështim jo i vogël.