Autobusi që bartte futbollistët e Kosovës nga hoteli për në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte thuajse i zbrazët. Në autobus ishin vetëm dhjetë futbollistë, selektori Franco Foda, stafi i tij dhe një pjesë e drejtuesve të përfaqësueses së Kosovës.
Edhe më i zbrazët ishte edhe stadiumi, futbollistët zhvilluan stërvitjen.
Interesimi për ta përcjellë nga afër stërvitjen e parë të “Dardanëve” për ndeshjet kundër Rumanisë dhe Lituanisë ishte goxha i vogël.
Në stërvitjen e parë të “Dardanëve” ishin portieri Visar Bekaj dhe lojtarët Florent Muslija, Muharrem Jashari, Mërgim Vojvoda, Ilir Krasniqi, Baton Zabërgja, Fidan Aliti, Florent Hadërgjonaj, Art Smakaj dhe Andi Hoti.
Smakaj që kthehet te Kosova ishin në listën rezervë, të publikuar të shtunën. Për herë të parë janë ftuar edhe Baton Zabërgja e Leard Sadriu. Ky i fundit mungoi në stërvitjen e parë ashtu si edhe shumica e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e rëndësishme. Pjesa tjetër e lojtarëve që munguan në stërvitjen e parë, kanë qëndruar në hotel për rigjenerim pas angazhimit të tyre në klubet përkatëse.
“Për mua është ndjenjë e papërshkrueshme, sepse për çdo futbollist është ëndërr të arrijë të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Më vjen shumë mirë që e kam realizuar këtë ëndërr dhe shpresoj ta bëj maksimumin tash dhe në vazhdim që të bëj ndeshje sa më të mira me kombëtaren. Pritja ka qenë shumë e ngrohtë. I gjithë grupi është shumë i mirë dhe më ka pritur në mënyrë shumë të mirë. Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë që të arrijmë rezultate pozitive në të ardhmen. Normalisht e dimë se Rumania ka qenë kundërshtari më i fortë në këtë grup, por duke pasur parasysh edhe lojtarët që ne i kemi, mendoj se mund të dalim me rezultat pozitiv nga Rumania”, ka thënë Baton Zabërgja për Federatën e Futbollit të Kosovës.
Art Smakaj është i lumtur për kthimin te Kosova pas miqësores me Norvegjinë
“Ndjenjë shumë e bukur të jesh me Kombëtaren. E kryem stërvitjen e parë dhe kemi punuar mirë. Na presin dy ndeshje të rëndësishme dhe jemi të gatshëm. Duhet të shkojmë në Rumani të luajmë lojën tonë, të tregojmë veten, dhe të kthehemi me tri pikë. I presim sa më shumë tifozët dardanë në këto dy ndeshje dhe ne do të provojmë të japim maksimumin për t’i kënaqur me performancë”, tha Smakaj.
Kosova është në vendin e dytë me nëntë pikë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Para saj, në vendin e parë është Rumania me 12 pikë, kurse Qiproja është e treta me tri pikë. Lituania është pa pikë nga katër ndeshje.
Ndeshjen e parë të këtij muaji Kosova e luan më 15 nëntor në Bukuresht, kurse pas tri ditësh e pret Lituaninë, që është edhe kundërshtari i fundit i edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.