Asnjë pikë në 16 xhiro. Me shumë gjasë Kosova VR pa pikë do të mbetet edhe pas xhiros së 17-të.
Kosova VR është ekip i futbollisteve nga Prishtina, ndërsa në fundjavën e ardhshme do të përballen me Mitrovicën, ekipin që ka dominuar në vitet e fundit në vend. Mitrovica është në garë për titull të kampionit. Po lufton me Dukagjinin për titull.
Dukagjini është në vendin e parë me 43 pikë, kurse Mitrovica renditet e dyta me 41 pikë.
Kosova VR është ekipi i vetëm në garat e organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës që nuk ka pikë.
Por, trajneri Ilir Sopi pret që ekipi tij të arrijë fitore këtë edicion. Kanë mbetur edhe pak xhiro për t’u zhvilluar.
“Shpresoj se dy fitore do t’i arrijmë. Ekipi është në ngritje dhe besoj se këtë sezon do të kemi gëzim. Deri në fund kanë mbetur shtatë-tetë xhiro”, ka thënë Sopi të dielën për KOHËN.
Kosova VR ende nuk ka fituar pikë. Por, futbollistet e kësaj skuadre kanë fituar një ndeshje me rezultat zyrtar. Kosova VR ka fituar për Kupë në tavolinë, pasi ekipi mysafir nuk kishte udhëtuar.
“Nuk jemi mirë me rezultate. Nuk kemi asnjë pikë, pasi më është ndërruar gjenerata. Ekipet që po garojnë për titull, Dukagjini, Malisheva, Mitrovica dhe Ulpiana, kanë marrë lojtaret e mia. Ua kemi liruar për të marrë më shumë mjete. Sivjet po bëj një ekip të mirë me lojtare të reja. Janë pa përvojë, por synimi ka qenë të krijojmë një ekip me lojtare të reja”, ka theksuar Sopi.
Kosova VR të mërkurën në çerekfinale të Kupës do të përballet me Dukagjinin.
“Për Kupë kemi kaluar tutje, pasi ekipi mysafir nuk erdhi. Kemi kaluar në çerekfinale. Tani kemi të enjten ndeshjen për Kupë ndaj Dukagjinit, pastaj në vikend e kemi ndaj Mitrovicës. Por pas ndeshjes kundër Mitrovicës, besoj se do të arrijmë fitore”, ka theksuar trajneri Sopi.
Kosova VR është prej ekipeve të para të futbollisteve. U themelua më 14 tetor të vitit 2002. Deri vonë mbante emrin Kosova e Prishtinës. Por është dashur ta ndërrojë për shkak se emri “Kosova” është e ndaluar me Udhëzimin Administrativ për themelimin dhe regjistrimin e klubeve publike e private të sportit.
Asnjë klub nuk ka të drejtë të quhet Kosova.
Kosovës VR do t’i duhet sërish të ndërrojë emrin.
“Tani më duket se sërish duhet t’i ndërrohet. Para emrit Kosova duhet të ketë një emërtim apo emër tjetër”, thotë Sopi.
Ai ka thënë se FFK-ja ndihmon ekipet e futbollisteve me rekuizita. Vlerëson organizmin e ekipeve, ndërsa thotë se këtë edicion konkurrenca ka qenë më e zbehtë.
“Lojtaret janë të moshës së përzier. Janë mbi moshën 17-vjeçare. Edhe te klubet e tjera janë kështu”.