Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka kërkuar respekt në fushë nga Rumania. Ai ka theksuar se ekipi i tij është gati për ta mbyllur me sukses ndeshjen ndaj rumunëve në Bukuresht. Foda në konferencë për medie të enjten ka thënë se Kosova ka udhëtuar në Rumani për ta fituar ndeshjen. Ndeshja “finale” në mes të Kosovës dhe Rumanisë luhet të enjten në “Arnën Nacionale” të Bukureshtit. Ndeshja nis në orën 20:45 dhe i takon Grupit C2 të Ligës së Kombeve.
Foda ka besim se Kosova mund ta fitojë ndeshjen.
“Vitin e kaluar nuk kam qenë selektor i Kosovës dhe nuk mund të flas për atë ndeshje. Detyra ime është ta përgatis ekipin. Në mënyrën më të mirë të mundshme dhe këtë e kam bërë gjatë ditëve të kaluara. Ajo që mund të them është se kam marrë pjesë në Evropian dhe e kam përcjellë Evropianin e fundit dhe ajo që kam parë ka qenë respekti. Dhe unë pres që nesër të ketë respekt”, ka thënë Foda.
Rumania e fitoi ndeshjen e parë në Prishtinë me rezultat 3:0. Kosovës i duhet fitore më e thellë se 3:0 për ta fituar grupin dhe të avancojë në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Përkundër faktit që kemi pësuar humbje 3:0 në Prishtinë, besoj se me paraqitjen që kemi treguar, kemi qenë të përafërt, por kemi pësuar gola të lehtë dhe kjo ka ndikuar në atë rezultat. Sa i përket paraqitjes, nuk them se kemi pasur dallim shumë të madh nga kundërshtari. Pastaj i kemi fituar nëntë pikë ndaj Qipros dhe Lituanisë dhe kjo ka rritur besimin e skuadrës. Kemi treguar se kemi bërë një hap përpara. Kemi shumë mungesa të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të rëndësishëm. Besoj që ekipi është më lart se që ka qenë në shtator dhe besoj se ekipi është i gatshëm ta tregojë gjithë potencialin në kërkim të fitores”, është shprehur Foda.
Foda ka vlerësuar Edon Zhegrovën, i cili po kalon formë të mirë te skuadra e Lillet. Por selektori i “Dardanëve” thotë se Kosova ndaj rumunëve duhet të mbrohet dhe të sulmojnë si një skuadër.
“Secila skuadër ka disa pika të dobëta, dhe besoj se edhe Rumania ka të tilla. Por ka edhe pika shumë të forta. Është skuadër e fortë dhe si të tillë do ta trajtojmë. Trajneri juaj ka drejtë me konstatimin për Edon Zhegrovën. Zhegrova është një lojtar shumë i mirë, di si të reagojë, sidomos në situatat një kundër një. Por ideja jonë është luajmë si një skuadër. Të mbrohemi dhe të sulmojmë si një skuadër”, ka theksuar Foda.
Kosova për ndeshjen ndaj rumunëve të enjten do t’i ketë shumë mungesa. Por, ai ka insistuar se Kosova në Rumani ka udhëtuar veç për fitore.
“Do të kemi ndryshime, qoftë taktime apo edhe të qasjes. Është e qartë se ne jemi këtu për të tentuar fitoren. Duhet të jemi agresiv, ta fitojmë sa më shpejt. Do të kemi 90 minuta kohë për ta fituar ndeshjen. Gjithçka është në duart tona. Nëse duam vendin e parë, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda.
Ai fton lojtarët e tij të kontrollojnë emocionet dhe të ruajnë qetësinë.
“Të luash në stadium të mbushur është ëndërr për të gjithë lojtarët, por edhe trajnerit. Duhet t’i kontrollojmë emocionet dhe në fund mbi të gjitha të mbizotërojë respekti”, thotë Foda.
Edhe mesfushori Elvis Rexhbeçaj ka thënë se ndaj rumunëve, Kosova synon fitore.
“Na duhet ta kontrollojmë lojën në mesfushë, por duhet të gjithë të luftojmë se bashku, pasi kemi ekip shumë cilësor në ofensivë dhe duhet të bashkohemi të gjithë për të kontrolluar lojën duke e dominuar”, ka thënë Rexhbeçaj.
Ai ka vlerësuar punën që është bërë gjatë grumbullimit për ndeshjet kundër Rumanisë dhe Lituanisë.
“Stërvitjet kanë shkuar shumë mirë këtë javë. Kualiteti ka qenë shumë i lartë. Besoj se jemi gati, e dimë se çfarë atmosfere na pret, por ne jemi profesionalë të gjithë, jemi 100 për qind për ndeshjen kundër Rumanisë”, ka thënë Rexhbeçaj.
Ai ka thënë se tri fitoret rresht në Ligën e Kombeve, kanë rritur besimin tek ekipi përfaqësues i Kosovës. “Dardanët” i kanë fituar dy ndeshje ndaj Qipros dhe një kundër Lituanisë.
“Unë jam gati dhe nuk frikësohem. Dua të bëhem lojtar i madh për Kosovën. Dua ta ndihmoj ekipin për të fituar. Kemi fituar vetëbesim pas fitoreve të fundit”, ka thënë mesfushori i Augsburgut.
Rumania kryeson me 12 pikë e ndjekur nga Kosova me nëntë pikë. Qiproja ka tri pikë, derisa Lituania e fundit pa pikë. Ndaj Lituanisë, Kosova luan më 18 nëntor në Prishtinë.