Laurent Sheji u lind në Zvicër, rrënjët i ka nga Struga e Maqedonisë së Veriut, por ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën.
Portieri i Grasshopperit, Sheji, është lojtari i parë shqiptar nga Maqedonia e Veriut që paraqitet me fanellën e Kosovës.
Kosova deri më tani nuk ka pasur në asnjë grupmoshë lojtarë që kanë rrënjë nga Maqedonia e Veriut apo Shqipëria.
Tani e ka Shejin.
Sheji luajti për Kosovën U21 gjatë kampit dhjetëditor në Antalya të Turqisë, në mars. Por, për t’u paraqitur në ndeshje zyrtare me fanellën dardane duhet të pajiset me dokumentacionin e Kosovës. Procedurat për ta pajisur me nënshtetësi të Kosovës, tashmë kanë nisur për portierin me të ardhme.
Sheji është i lumtur me vendimin për t’u paraqitur me Kosovën.
“Është rast i mirë për mua të luaj për Kosovën. Jemi të gjithë shqiptar dhe ku ka më mirë se të luash për Kosovën. Jam 100 për qind i lumtur që kam marrë këtë vendim”, ka thënë Sheji të martën për KOHËN.
Babai i Laurentit, Agni Sheji është nga fshati Veleshtë. Ai fillimisht ishte vendosur në Gjermani, por ndërkohe kishte vazhduar jetën dhe veprimtarinë në Zvicër.
“Kam shumë shokë nga Kosova”, thekson Sheji, i cili kishte nisur karrierën në moshën 8-vjeçare.
“Kam qenë fillimisht si lojtar e më pas nuk e di pse trajneri vendosi të më aktivizojë si portier. Nuk e kisha trupin për portier. Isha shumë i vogël me trup, por ndoshta reflekset e mia kanë rënë në sytë e trajnerit. Jam edhe shumë i lëvizshëm. Por më pëlqen që jam portier. Me trup u zhvillova në moshën 16-vjeçare”, shtoi Sheji, tani i gjatë 190 cm.
Sheji pret sa më shpejtë të pajiset me pasaportë të Kosovës. Synimet e tij janë të mëdha. Fillimisht të bëhet portier i parë i Kosovës U21 e më pas të paraqitet me Kosovën në ndonjë ngjarje të madhe. Ai beson se shpejtë do ta ketë rastin të paraqitet edhe me fanellën e Kosovës A.
“Procedura për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës ka nisur. Nuk e di se ku janë procedurat, por unë jam i gatshëm të jap kontributin tim për Kosovën”, ka thënë Sheji.
Menaxheri i Përfaqësueses U21 të Kosovës, Zgjim Sojeva, thotë se Sheji është prurje e madhe.
“Kombëtarja U21 e Kosovës nuk ka qëndruar asnjëherë më mirë me portierë. Tani kemi edhe Laurent Shejin, për të cilin jemi në proces të kompletimit të dokumentacioneve. Sheji është talent. Për një kohë të gjatë nuk kemi pasur kaq shumë opsione. Është talent dhe jam shumë i lumtur që na është bashkuar”, ka thënë Sojeva.
Sheji është 20-vjeçar dhe ende nuk është emër i njohur. Por pritjet janë që të bëhet prej emrave të mëdhenj të futbollit evropian.
Në qershor të vitit të kaluar, Sheji, firmosi kontratë profesionale me Grasshopperin.
Ai stërvitet rregullisht me ekipin e parë, ndërsa ndaj Luzernit dhe Baselit ishte në bankën e rezervistëve. Nuk ka debutuar ende me të rriturit.
“Ishte ndjenjë e mirë të isha pjesë e ekipit në dy ndeshje. Pash të ardhme kur u ftova nga ekipi parë”, thotë ai. “Nuk e di se a do ta kem rastin këtë edicion, pasi nuk është në pozitë të mirë ekipi. Por besoj se edicionin e ardhshëm mund ta kem rastin të paraqitem për ekipin e parë. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat”.
Përfaqësuesja A e Kosovës është stabilizuar në portë me Arijanet Muriqin. Portier i dytë është Amir Shaipi, ndërsa në të ardhmen konkurrent për një vend në portë mund të bëhet edhe Sheji.