Futboll

Kompany: Te Bayerni ndihem si në shtëpi

Vincent Kompany

Trajneri i ri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, ka thënë se te Bayern Munichu po ndihet tashmë “si në shtëpi”.

Kompany u zyrtarizua si trajner i ri i bavarezëve të mërkurën, me marrëveshje trevjeçare.

38-vjeçari në krye të skuadrës e zëvendëson Thomas Tuchelin.

Belgu Kompany nuk e siguroi mbijetesën në Premier League me Burnleyn.

“Klub i madh është ambienti të cilin ti e krijon. Është mentaliteti që e ke në punën tënde, në momente të mira e të këqija, kjo e definon punën në nivelin më të lartë”, ka thënë të enjten Kompany në konferencën e parë zyrtare për shtyp si trajner i Bayernit. 

Ai e nisi karrierën si trajner tek Anderlechti, aty ku edhe e kishte nisur karrierën si futbollist.

E udhëhoqi Anderlechtin në finale të Kupës së Belgjikës në edicionin 2021/22, para se të largohej në fund të atij sezoni, për ta marrë drejtimin e Burnleyt.

Burnleyn e udhëhoqi drejt titullit të kampionit në Championship, në kategorinë e dytë të futbollit anglez.

Burnley triumfoi me 101 pikë dhe e siguroi inkuadrimin në Premier League, por nuk e siguroi qëndrimin edhe për një edicion tjetër.

“Jam shumë i motivuar, nga mëngjesi deri në mbrëmje jam i motivuar dhe me mendimin për ta bërë secilin më të mirë”, ka shtuar Kompany.

“Nuk dua vetëm unë të jem i suksesshëm. Dua që sukseset t’i arrijë me sa më shumë njerëz që është e mundur. Kjo është natyra ime”, deklaroi Kompany.