Futboll

Kompany ia beson portën Muriqit edhe pas gabimeve të rënda

Arijanet Muriq

Trajneri i Burnleyt, Vincent Kompany, nuk dha një përgjigje përfundimtare, por la të kuptohet se portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, do të jetë portier i parë i skuadrës edhe pas gabimeve të rënda në dy ndeshjet e fundit, kundër Evertonit dhe të shtunën ndaj Brightonit.

Te Burnley kanë bërë çdo gjë për t’i dalë në mbrojtje shtatlartit Muriq. Njëjtë ishte edhe të enjten, kur në konferencë për media u paraqit trajneri Kompany.

Ai tha se lojtarët e tij duhet të mbështeten. Burnley e luan të shtunën ndeshjen e radhës në Premier League kundër Sheffield Unitedit. Në portë pritet të jetë Muriqi.

“Kam pasur këtë sezon me lojtarë ku më është dashur t’i mbështes ose nuk do të mbetej asnjë lojtar në fushë. Ju duhet t’i mbështetni ata. Lojtarët kanë treguar në momente se janë vërtet të mirë. Nuk mund ta ndryshosh shpejt. Ajo vjen me kohën. Kështu është e njëjta gjë edhe me Aron, Traffordin, kaq shumë lojtarë në ekipin tonë. Ju duhet t’i mbështesni dhe t’i mbështesni. Në një moment do të merrni shpërblimet”, ka thënë Kompany. 

Muriqi gjithë edicionin kishte qëndruar në stol te Burnley. E fitoi rastin ndaj Brentfordit më 16 mars dhe shkëlqeu. Pas dy ndeshjeve me Kosovën, ishte më i miri në barazimin 2:2 të Burnleyt me Chelsean. U vlerësua lart ndaj Wolvesit, ndërsa me Evertonin e Brightonin bëri gabime të rënda. Sidomos gabimi me Brightonin ishte fatal, ndonëse në përgjithësi kishte paraqitje pozitive. Pas humbjes së pikëve, shkaku edhe i gabimeve të Muriqit, gjasat e skuadrës për të mbetur në Premier League tashmë janë të vogla. Burnley është i parafundit me 20 pikë. 25 pikë i ka Lutoni në vendin e 18, që po ashtu dërgon në Championship. Nottinghami i vendit të 17 i ka 26 pikë. Janë edhe pesë xhiro deri në fund.

Portieri 25-vjeçar që luan për Kosovën iu bashkua Burnleyt në verën e vitit 2022 nga skuadra e Manchester Cityt. Para se ta shiste te Burnley, City e huazoi Muriqin në Nottinhham Foresti, Willem II dhe Adana Demirspor.

Ai është portier i parë i Kosovës. Për Kosovën i ka 36 paraqitje.