Futboll

Kolapsimi i Boves jep tjetër mësim për atë që vërtet ka rëndësi në jetë

Edoardo Bove

Përpara se Edoardo Bove të rrëzohej në fushë, dukej sikur një gol i anuluar ishte gjëja më e rëndësishme në botë. Fiorentina dhe Interi ishin duke pritur një rishikim të situatës përmes VAR-it, për të konfirmuar nëse topi me të vërtetë kishte dalë jashtë kur Denzel Dumfries shërbeu Lautaro Martinezin për të shënuar në minutën e 17-të të ndeshjes së Serie A. Lojtarët dhe trajnerët shprehën mospajtimet e tyre në mënyrën e zakonshme teatrale.

Dhe përnjëherë ajo situatë nuk ishte fare e rëndësishme. Bove nuk ishte i përfshirë në diskutim dhe po rrinte në anën tjetër të fushës. Ai ra në gju në një moment dhe supozohej se ishte duke i lidhur këpucët e futbollit. Por në fakt përdori duart për t’u mbajtur në terren. U ngrit në këmbë, bëri disa hapa të pakontrolluar dhe më pas u rrëzua pranë Hakan Çalhanoglut të Interit.

Kështu ndeshja e futbollit menjëherë mbeti në plan të dytë. Dumfries, i cili e pa i pari se çka kishte ndodhur, ngriti duart dhe kërkoi ndihmë. Ndoshta ishte zëri i tij, apo ndonjë shenjë tjetër, por shpejt u kuptua se sa serioze është situata. Lojtarët dhe stafi i dy klubeve vrapuan në shumë drejtime – drejt Boves, drejt ambulancës, drejt zyrtarëve dhe drejt njëri-tjetrit.

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, vrapoi për të ndihmuar, por humbi kontrollin.

Kundërshtarët që ishin grindur disa momente më parë, tani qëndronin afër njëri-tjetrit dhe krijuan një mur në formë rrethi, duke bërë që gjendja në të cilën ishte 22-vjeçari të mos vërehej nga tifozët dhe teleshikuesit.

E vetmja britmë në stadiumin “Artemio Franchi” ishte nga një grup lojtarësh që nuk mund të kuptonin pse ambulanca nuk kishte hyrë në fushë.

Ekipi mjekësor po i përmbahej protokollit duke e lënë automjetin në vend, derisa ekipi mjekësor vrapoi që të kujdesej për lojtarin. Bove u vendos me shpejtësi në një barelë dhe u dërgua në ambulancë. Ai kishte pësuar arrest kardiak dhe është raportuar gjerësisht se një defibrilator është përdoror për të rinisur zemrën e lojtarit.

Lajme më të mira kanë pasur. Futbollisti i Fiorentinas u dërgua në Spitalin Universitar Careggi, ndërsa klubi njoftoi të dielën mbrëma se “ai u trajtua në fushë pas një humbjeje të vetëdijes. Aktualisht është nën ndikimin e qetësuesve dhe është shtruar në kujdesin intentziv”.

“Lojtari mbërriti në urgjencë në kushte të qëndrueshme hemodinamike dhe analizat fillestare kardiologjike dhe neurologjike kanë përjashtuar dëmtimin akut të sistemit nervor qendror dhe sistemit të frymëmarrjes. Gjendja e Boves do të rivlerësohet në 24 orët e ardhshme”.

Të hënën në mëngjes, Matteo Dovellini, gazetar i “La Repubblica” njoftoi se Bove “është i kthjellët dhe u përgjigjet pyetjeve”. Sipas tij, lojtari nuk ka asnjë dëmtim cerebral apo kardiak.

Fiorentina njoftoi ndërkohë se Bove ishte “zgjuar, i vetëdijshëm dhe i orientuar” dhe se testet diagnostike po vazhdonin.

Ndeshja u pezullua nga arbitrit Daniele Doveri, pasi ambulanca u largua nga stadiumi. Menjëherë u vendos që ndeshja nuk do të vazhdonte të dielën mbrëma. Ishte vështirë të mendohej skenar tjetër. Lojtarët e të dy skuadrave ishin shumë të shqetësuar. Tifozët qëndronin në tribuna në pritje të ndonjë njoftimi.  Por për të gjithë të pranishmit shqetësimi i vetëm ishte për gjendjen e Boves.

Arresti kardiak i pësuar nga Christian Eriksen derisa po luante për Danimarkën në Euro 2021, ka rritur ndërgjegjësimin për incidente të kësaj natyre. Në futbollin italian kishte raste të tjera. Në vitin 2012, Piermario Morosini vdiq për të njëjtin shkak derisa po luante për Livornon ndaj Pescaras në Serie B.

Gjashtë vjet më pas kapiteni i Fiorentinas, Davide Astori, vdiq pas një arresti kardiak në dhomën e tij të hotelit, para një ndeshjeje në Udinese. Astori u nderua edhe të dielën. U thir emri i tij pasi u thirrën emrat e 11 lojtarëve që startuan. Tifozët vazhduan traditën e duartrokitjes për të në minutën e 13-të, numrin që e mbante në fanellë Astori.

Te Fiorentina ka pasur shumë tragjedi në vitet e fundit. Në mars, shefi ekzekutiv i klubit, Joe Barone vdiq nga një arrest kardiak në hotelin e ekipit përpara ndeshjes në Atalanta.

Tifozët e Fiorentinas lanë një pankartë jashtë spitalit ku është Bove, ku shkruan “Firence është me ju”.

Lajmet për gjendjen e tij më të mirë do të sjellin lehtësim në gjithë qytetin dhe më gjerë në Itali, ndonëse është shumë herët për të parashikuar kthimin e tij eventual në fushë.

22-vjeçari dukej se do të shpërthente këtë edicion. Një tifoz i madh i Romës dhe i rritur në akademinë e Romës, mesfushori kishte 45 paraqitje për “Giallorossi” në edicionin e kaluar. Por u vlerësua i tepërt në verë, pasi klubi shpenzoi 100 milionë euro për rindërtimin e skuadrës së parë.

Bove lëvizi në ditën e fundit të afatit kalimtar. Fiorentina u pajtua për huazim njëvjeçar, me obligime për transferim të plotë nga Roma nëse disa kushte do të plotësoheshin. Ai tha se kalimi te Fiorentina ishte zgjedhje zemre dhe se ishte bindur nga projekti i drejtuesve.

Ai u stabilizua në përbërjen bazë të Fiorentinas dhe konsiderohej me potencial për t’u ftuar nga Italia A, pasi u shfaq mirë me Italinë U21

Ndoshta ajo e ardhme e pret ende futbollistin, por nuk ka asgjë të garantuar. Erikseni ishte në gjendje të kthehej në fushë, pasi iu vë një defibrilator, por nuk u lejua të vazhdonte në Itali me atë pajisje.

Si do që të jetë e ardhmja, Bove do të ketë opsione. Ai ka studiuar në kohë të pjesshme për ekonomi dhe menaxhment. Ai kishte thënë se në futboll nuk do të jetë gjithnjë dhe se dëshiron të jetë gati për atë që pason.

Shpresat janë që ai të vazhdojë të ndjekë ëndrrat sportive para se të kalojë në karrierë të re. Tani për tani lajmi i mirë është se këto pyetje mund të bëhen ende.