Selektori i Holandës, Ronald Koeman, e ka kritikuar sulmuesin Steven Bergwijn që ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite.
Koemanit nuk i ka pëlqyer kalimi i 26-vjeçarit te skuadra e Al-Ittihadit.
“Kur je 26-vjeçar ambicia jote kryesore duhet të jetë sporti, jo ana financiare. Këto janë zgjedhje që bëjnë lojtarët. Unë nuk kam qenë kurrë në atë situatë, sepse mund të shkoja në Barcelonë. Ai mund të kishte qëndruar në Ajax. Ju duhet ta respektoni atë zgjedhje, por personalisht nuk do të isha transferuar”, ka thënë Koeman, shkruan të martën “Reuters”.
Bergwijn nuk u ftua nga përzgjedhësi Koeman për ndeshjet e këtij muaji në Ligën e Kombeve.
Ai me klubin nga Arabia Saudite, Al-Ittihad, ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027. Bergwijn u transferua nga Ajaxi për 21 milionë euro. Me Holandën i ka 35 ndeshje e tetë gola.