Selektori i Holandës, Ronald Koeman, e ka kritikuar presidentin e Barcelonës, Joan Laporta.
Koeman të premten është shprehur se me udhëheqjen e Laportas, Barcelona do ta ketë të vështirë që të jetë sërish në gjendje të konkurrojë për të arritur suksese madhore.
“Vitet e fundit problemi i Barçës ka qenë se Messi është jashtë, unë jam jashtë, Xavi është jashtë. Mendoj se gjëja më e mirë është të respektosh legjendat e klubit. Kjo është shumë më e rëndësishme sesa të luftosh për një lojtar. Barça duhet të jetë në krye dhe vitet e fundit nuk është aty për të garuar. Unë mendoj se është për shkak të bordit sepse anëtarët e tij punojnë në një mënyrë që nuk është e mirë. Shpresoj që Laporta më në fund të ketë durim me trajnerin e ri. Nëse nuk e ndjen mbështetjen e presidentit, je i humbur. Në shumë gjëra Madridi është superior ndaj Barçës. E di që Barça ka shumë të rinj si Lamine, Pedri apo Gavi, por ka nevojë për njerëz si Mbappe që bëjnë ndryshimin në çdo mënyrë”, ka thënë Koeman.
Koeman ishte trajner i Barcelonës në edicionin 2020/2021.