Futboll

Kloppi kthehet në futboll, por jo si trajner

Juergen Klopp

Trajneri i njohur gjerman, Juergen Klopp, po kthehet në futboll por jo si trajner. Kloppi të mërkurën është zyrtarizuar në pozitën e udhëheqësit global të futbollit në kompaninë e njohur “Red Bull”. Kompania që prodhon pijen e njohur energjike ka në pronësi klube të shumta të futbollit nëpër botë. Dhe Klopp do të jetë përgjegjës për udhëheqjen e tyre.

“Në pozitën e re, gjermani karizmatik do të mbikëqyrë rrjetin ndërkombëtar të klubeve të futbollit të ‘Red Bullit’. Ai nuk do të jetë i përfshirë në klube në baza ditore, por do të ofrojë vizionin strategjik, duke ndihmuar drejtorët sportivë në avancimin e filozofisë së ‘Red Bullit’. Për më tepër, 57-vjeçari do të përkrahë operacionet globale të organizatës sa i takon skautimit dhe do të kontribuojë në stërvitje dhe në zhvillimin e trajnerëve”, ka njoftuar “Red Bull”.

Karriera e mahnitshme e Kloppit si trajner nisi në vitin 2001 te Mainzi. Më pas ka drejtuar me shumë sukses Borussia Dortmundin, ndërsa në nëntë vjetët e fundit ishte te Liverpooli. U largua në muajin maj me shumë trofe të fituar.

“Pas gati 25 vjetësh si trajner, nuk mund të jem më shumë i entuziazmuar për përfshirjen në një projekt si ky”, ka thënë Klopp.

“Pozita mund të ketë ndryshuar, por jo edhe pasioni im për futbollin dhe për njerëzit që e bëjnë lojën kështu si është. Duke iu bashkuar ‘Red Bullit’ në nivel global, dua të zhvilloj, të përmirësoj dhe të përkrah talentet e jashtëzakonshme të futbollit që i kemi në dispozicion. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë, nga shfrytëzimi i njohurive dhe përvojës elitare që ka ‘Red Bull’ e deri te të mësuarit nga sporte të tjera dhe industri të tjera”, ka shtuar ish-trajneri ikonik i Liverpoolit.

Kloppi e sheh pozitën e tij si “mentor për trajnerët e menaxherët në klubet e ‘Red Bullit’”. Thotë se është pjesë e një organizate unike, inovative dhe që shikon përpara, dhe kjo e bën shumë të lumtur.

Te “Red Bulli” kanë thënë se angazhimi i Kloppit është më i madhi në histori të kompanisë sa i  takon përfshirjes në futboll.

“Jemi të lumtur për afrimin e jashtëzakonshëm dhe qartë për afrimin më të madh në historinë e ‘Red Bullit’ për futbollin. Juergen Kloppi është një prej figurave më të mëdha dhe më me ndikim në botën e futbollit, me aftësi dhe karizëm të jashtëzakonshme. Me rolin e tij si udhëheqës i futbollit, do të ndryshojë lojën për përfshirjen tonë në futbollin ndërkombëtar dhe zhvillimin e vazhdueshëm”, ka thënë Oliver Mintzlaff, shef i projekteve dhe investimeve në Red Bull.

Klubet e “Red Bullit” janë: Leipzigu, Salzburgu, Leedsi, New Yorku, Bragantino (Brazil) dhe Omiya Ardija (Japoni). Pas angazhimit të Kloppit mund të përfshihen klube të tjera në këtë rrjet.