Futboll

Katër asistimet, dëshmi e formës ofensive që po kalon Paqarada

Leart Paqarada

Leart Paqarada

Si asnjë lojtar tjetër më parë, Leart Paqarada i ka bërë katër asistime gjatë një pjese të një ndeshjeje në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Në fund katër asistimet e tij kishin vlerën e një pike.

Ndonëse Koelni udhëhoqi 3:0 ndaj Karlsruhes, të dielën, ndeshja e kategorisë së dytë gjermane përfundoi 4:4.

Tri asistimet e para mbrojtësi i majtë i Kosovës i bëri deri në minutën e 15-të. Madje njëri prej asistimeve ishte pasim i shkëlqyer nga distanca.

Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Paqarada përgatiti edhe golin e katërt.

Në pjesën e dytë Karlsruhe barazoi prej 4:2 në 4:4.

Paqarada nuk është dukur i lumtur pas ndeshjes.

“Dukem si dikush që la epërsinë 3:0 të kthehet në barazim 4:4”, ka thënë 29-vjeçari.

Paqarada është në edicionin e dytë te Koelni. Edicioni i tij i parë, në Bundesligë, nuk ishte shumë i suksesshëm. Nuk shfaqi as për së afërmi formën që kishte te St. Pauli, shkruan “express.de”.

Por në javët e fundit Paqarada po shfaq formë gjithnjë e më të lartë.

“Po ndihem shumë mirë mentalisht dhe fizikisht për momentin. Po ndiej shumë besim nga ekipi i trajnerëve dhe është e rëndësishme për mua të shpërblej këtë besim me paraqitje”, ka thënë Paqarada, duke shtuar: “Po paraqitem në ndeshje me besim dhe jam i lumtur që kam bërë katër asistime. Kam menduar se do të ndihesha më mirë për këtë. Por nuk po ndihem për momentin”.

VIDEO:

Për Koelnin funksionuan gjërat në sulm, por jo edhe në mbrojtje. Njëjtë ishte edhe për Paqaradën, sipas gazetës gjermane. Ai u vonua në dy golat e parë që erdhën pas krosimeve.

Por katër asistime rrallë shihen në një ndeshje futbolli, nga i njëjti lojtar. Dhe te Koelni janë të kënaqur me kosovarin.

“Mendoj që Paqarada sërish është paraqitur shumë mirë dhe ka dëshmuar sërish se sa i rëndësishëm është për këtë ekip”, ka thënë trajneri i Koelnit, Gerhard Struber.

Paqarada, ashtu si pritej, zuri vend në ekipin e xhiros në Bundesliga 2. Ai ftohet rregullisht te Kosova, por jo gjithnjë është zgjidhje e parë për krahun e majtë.