Këtë edicion, sulmuesi kryesor dhe golashënuesi më i mirë i Rubin Kazanit, Mirlind Daku, jo vetëm që ka shënuar 11 gola në kampionat, por ka pranuar edhe numër të madh të kartonëve të verdhë dhe të kuq. Pasi u ndëshkua me të kuq në ndeshjen e kaluar ndaj Dynamo Moskës, Daku është diskualifikuar sërish. Të dielën Rubini do të luajë ndaj Fakelit pa Dakun, shkruan sajti rus “business-gazeta”.
Ky medium ka pyetur pse Daku ka nisur të mungojë në ndeshje për shkak të kartonëve dhe nëse diskualifikimet do të ndikojnë në gjasat e tij që të jetë në mesin e tre golashënuesve më të mirë të kampionatit të Rusisë.
Në fund të ndeshjes me Dynamo Moskën, Daku e kapi për fanelle Juan Caceresin dhe arbitri këtë e vlerësoi faull. Reprezentuesi i Shqipërisë nuk u pajtua, ngriti dorën dhe i tha diçka arbitrit. Pasoi kartoni i dytë i verdhë në ndeshje dhe përjashtimi. Kartonin e parë e mori që në minutën e nëntë për ndërhyrje të ashpër. Mes dy kartonëve, Daku bëri asistim në golin e vetëm të Rubin Kazanit.
Trajneri Rashid Rakhimov iu drejtua ashpër sulmuesit derisa Daku po largohej nga fusha. Pas ndeshjes tha se Daku i dha arsye arbitrit për t’ia treguar kartonin e dytë të verdhë.
“Fakti që ka emocione është shumë i mirë, super. Pra ka dëshirë. Por jo të ndëshkohet për emocione. Ai i dha arsye, por kishte shumë momente të tilla. Para kësaj ishte një incident me një lojtar kundërshtar, por atij nuk iu dha kartoni. Nuk e fajësoj referin, i thashë atij që i dha arsye”, ka thënë Rakhimov.
Është përjashtimi i dytë i sulmuesit brenda një muaji e gjysmë. Më 9 mars, në ndeshjen ndaj Spartakut, Mirlindi kishte pjesë të parë të përkryer, duke shënuar dy gola. Në të dytën nga hero u kthye në anti-hero duke pranuar kartonin e dytë të verdhë për një përplasje me Alexis Duarte. Daku kishte refuzuar të largohej nga fusha dhe kishte grushtuar një kamerë rrugës për në zhveshtore. Për këtë ishte gjobitur me 50 mijë rubla ruse (536 euro).
Por kjo nuk është e tëra, shkruan sajti rus. Daku mungoi edhe në ndeshjen ndaj Dynamos në shtëpi pasi plotësoi numrin e kartonëve të verdhë. Pra Rubinit i ka munguar sulmuesi kryesor tri herë për shkak të kartonëve. Sulmuesi ka tetë kartonë të verdhë, duke përfshirë ndeshjet për Kupë. Dy prej tyre ishin kartonë të dytë në të njëjtën ndeshje që sollën përjashtim. Sa për krahasim, në gjithë kampionatin e kaluar, 27-vjeçari i kishte gjashtë kartonë të verdhë. Kishte munguar vetëm në një ndeshje për shkaqe disiplinore. Kishte edhe një karton në ndeshje për Kupë.
Ish-trajneri i Rubin Kazanit, Rinat Bilyaletdinov thotë se Daku nuk po i merr kartonët e verdhë me qëllim. Sipas tij, arbitrat në disa raste është dashur të mjaftohen vetëm me paralajmërim, pa karton.
“Ai nuk ka qëllim dashakeq, për shembull që të merr karton dhe të pushojë në ndeshjen e ardhshme. Ose që të zgjatë pushimet. Ka raste kur ndaj Dakut luhet personalisht, duke ia kufizuar lirinë, duke e bërë nervoz. Provokuesit mund të bëjnë diçka dhe më pas të shfaqin fytyrë të pafajshme. Dhe qëllon që arbitrat kthehen kur i ofenduari reagon. Por sulmuesi nuk duhet të reagojë në këto situata. Ai duhet të kontrollojë veten. Kjo është lehtë të thuhet, por jo gjithnjë e lehtë për të bërë”, ka shtuar ish-trajneri i Rubinit.
Me 11 gola, Daku aktualisht e ndan vendin e tretë në listën e realizatorëve më të mirë në kampionatin rus. Vendi i parë duket i paarritshëm. Por edhe vendi i tretë i rrezikohet për shkak të suspendimit për ndeshjen e ardhshme. Deri në fund të kampionatit rus janë edhe pesë xhiro.