Në verën e vitit 2013, Jose Mourinho e donte me çdo kusht në skuadër mesfushorin Luka Modriq. Presidenti i klubit, Florentino Perez, ia përmbushi kërkesën dhe e transferoi atë nga Tottenhami. 12 vjet më vonë, pakkush ka mundur ta imagjinonte se ai do të bëhej njëri prej legjendave të Real Madridit. Të mërkurën mbrëma kundër Atletico Madridit, në moshën 39-vjeçare, ai pati tjetër paraqitje mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve.
Madrilenët u kualifikuan në çerekfinale të Championsit. Antonio Rudiger e shënoi penalltinë vendimtare për fitoren 4:2 në penallti për “mbretërit”. Koha e rregullt në “Metropolitano” përfundoi 1:0 në të mirë të Atleticos, pas golit të Conor Gallagherit, që shënoi pas 27 sekondave lojë.
Me lëndimin e Dani Ceballosit, Ancelotti u detyrua të mbështetej në eksperiencën e Luka Modriqit. Ai u bë lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Ligës së Kampionëve pas moshës 39-vjeçare, me totalin e 12 ndeshjeve të luajtura. Prapa tij kanë mbetur ish-bashkëlojtari Pepe dhe skocezi David Weir, ka shkruar “Beinsports” të enjten .
Nuk ishte rekordi i vetëm që Modriqi e kaloi. Ai po ashtu e barazoi Raul Gonzalezin dhe u bë lojtari i tretë i Real Madridit me më së shumti paraqitje, me totalin e 132 ndeshjeve. Në çerekfinale kundër Arsenalit, nëse luan, do ta kalojë Karim Benzeman, që ka 133 paraqitje. Më pas, para për paraqitje Modriq do ta ketë vetëm Iker Casillasin. Ish-portieri spanjoll ka 152 paraqitje.
Modriqi nuk e di të ardhmen e tij. Për këtë ka dyshime nëse ai do ta kalonte Karim Benzeman si lojtari i huaj me më së shumti paraqitje për Real Madridin. Ka diferencë prej 70 ndeshjeve.
“Kjo do të thotë shumë për mua. Në moshën time, fundi është afër. Por unë ende ndihem mirë. Dua që të vazhdoj tutje, por do të shohim edhe për sa kohë”, ka deklaruar Modriq pas fitores ndaj Atletico Madridit.
Trajneri italian i Realit, Carlo Ancelotti, e ka përsëritur disa herë se nëse do të varej nga ai, kontrata e Modriqit do të ishte rinovuar tashmë. Por, ashtu siç ka ndodhur në vitet e fundit, situata e Modriqit do të zgjidhet në fundin e sezonit. Ajo që është e qartë është se “ai ndihet mirë dhe gjithmonë është i gatshëm për të dhënë ndihmë”. Por, çfarëdo që të ndodhë, Modriqi do të vazhdojë të shkruajë historinë në Ligën e Kampionëve.
Modriqi u lind në Zadar, ndërsa karrierën e ka nisur te NK Zadari. Më pas i ishte bashkuar Dinamo Zagrebit, kurse si i huazuar ka luajtur edhe te Zrinjski Mostari dhe Inter Zapreshiqi.
Por me Dinamon, Tottenhamin e Realin i ka pasur arritjet më të mëdha. Me Real Madridin në total i ka zhvilluar 578 ndeshje, ndërsa ka kontribuuar me 43 gola e 93 asistime.
Si futbollist i Real Madridit e ka fituar edhe “Topin e Artë”, çmimin më prestigjioz individual për futbollistë. Ndër shumë trofe të tjerë të rëndësishëm të fituar në karrierë, është gjashtë herë fitues i Ligës së Kampionëve, ishte finalist i Botërorit 2018, dhe zuri vendin e tretë në Botërorin 2022.