Pasi përfundoi ngrohjen, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, vazhdoi i ndarë nga grupi stërvitjen e dytë në prag të ndeshjes së plejofit të Ligës së Kombeve ndaj Islandës.
Mbrojtësi me përvojë, gjatë ngrohjes në stërvitjen e së martës, vrapimet i bënte me ritëm më të ulët se lojtarët e tjerë.
Pasi përfundoi ngrohja e përbashkët, Rrahmani nisi punën i ndarë nga lojtarët e tjerë për shkak të lëndimit që e pësoi të dielën, një ditë para grumbullimit të Kosovës për ndeshjet e plejofit për Ligën B të Ligës së Kombeve.
Ndeshjen e parë “Dardanët” e zhvillojnë të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Të dielën, Kosova në Murcia të Spanjës e luan ndeshjen kthyese ndaj Islandës.
Për ndeshjen e parë kundër islandezëve, Rrahmani është në dyshim shkaku i lëndimit muskulor.
Për lëndimin e Rrahmanit të hënën në konferencë foli edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda. Ai tha se mungesa eventuale e kapitenit do të ishte goditje e madhe për “Dardanët”.
Për shkak të nivelit në të cilin paraqitet Rrahmani, ai është bindshëm para qendërmbrojtësve të tjerë që luajnë për Kosovën. Për përfaqësuese i ka 62 ndeshje, ndërsa ka shënuar shtatë gola.
Rrahmani të dielën u detyrua të zëvendësohej në minutën e 77-të në barazimin e Napolit, 0:0, kundër Venezias, në kuadër të javës së 29-të të Serie A.
Në konferencën e mbajtur të hënën u bë e ditur se për shkak të lëndimeve, Kosovës nuk do t’i bashkohen në grumbullim mbrojtësi i krahut, Florent Hadërgjonaj dhe sulmuesi premtues, Fisnik Asllani. Më herët ishte konfirmuar edhe mungesa e Edon Zhegrovës.
Përfaqësuesja e Kosovës më 6 qershor në Prishtinë luan miqësore ndaj Armenisë. Prej shtatorit për Kosovën fillojnë kualifikimet për Botërorin 2026.
Ndeshjen e parë e ka më 5 shtator ndaj Zvicrës në udhëtim.