Futboll

Kapiteni historik i Ballkanit

Edvin Kuc

"Pa grupin nuk mund të arrish asnjë sukses. Nuk kam parë një grup kaq të bashkuar nga presidenti deri te punëtori i fundit”, thotë Kuç

Edvin Kuç ka përjetuar emocione të forta gjatë karrierës si futbollist. I ka përballuar me sukses deri tash. Por nuk është i sigurt nëse njëjtë do të veprojë edhe të shtunën kur do të përshëndetet me bashkëlojtarët, trajnerët dhe krerët e klubit Ballkani.

Qartë që Kuç do ta ketë të vështirë t’i përmbajë lotët. Ballkani është klubi ku Kuç kaloi momentet më të mira në karrierë.

“Vitin e parë humba gjithçka, por tani po largohem duke fituar gjithçka”, tha Kuç pas ndeshjes finale të Kupës së Kosovës.

Ballkani të mërkurën fitoi për herë të parë në histori trofeun e Kupës.

Ishte trofeu i vetëm që i mungonte Kuçit dhe Ballkanit në Kosovë. Me Kuçin si kapiten, Ballkani fitoi tre tituj të kampionit rresht, ndërsa u paraqit në dy edicione rresht në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Gjashtë vjet nuk janë pak. Kemi kaluar momente të mira dhe të vështira. Kam luftuar shumë me emocione. Nuk festova siç duhet”, thotë Kuç të enjten në një rrëfim të gjatë për KOHËN.

“Jam qe gjashtë vjet, por jam i huaj. Është krenari e madhe. Zoti ka dashur që unë të bëhem kapiteni i parë të ngre kupën dhe pastaj gjitha këto suksese rrugës.

Në fakt, karriera e 30-vjeçarit në futboll nuk nisi siç duhet. Dëshira e prindërve të tij ishte që ai të fokusohej më shumë në shkollim.

Por Kuç kishte plane të tjera.

Ai tregoi se planet i kishte shumë të mira në Sarajevë. Por jo gjithçka shkoi siç ai dëshironte. Thotë se nisi bashkëpunimin me menaxherin e Edin Xhekos, yllit boshnjak të futbollit. 

“Shumë i ri jam larguar nga shtëpia. Në Sarajevë kam shkuar si 13-vjeçar dhe ajo kohë sigurisht ka qenë më e vështirë për prindërit e mi sesa për mua, pasi si fëmijë nuk mendon gjërat shumë.

Tash kur Kuç është më i pjekur në mendime, thotë largimi si 13-vjeçar nga familja nuk ishte e qëlluar.

“Kam jetuar te një familje tjetër, sikur të isha i adoptuar nga ajo familje. Kam luajtur afërsisht katër vjet futboll dhe kam përfunduar shkollimin. Bosnjë-Hercegovina është shtet më i madh se Mali i Zi dhe ka qenë me turbulenca për mua. Jam kthyer në klubin amë, Ibar të Rozhajës”, tregon Kuç.

Në Sarajevë tregon se ka përfunduar shkollimin katërvjeçar. Me t’u kthyer në Rozhajë, Kuç tregon se ishe në presion se çfarë do të ndodhte nëse nuk ka të ardhme nga futbolli.

“Pastaj erdhi momenti të pezulloj karrierën, aq herët dhe vendosa të vazhdoj studimet në Podgoricë. Kam shkuar në Deçiq. Atje shkova jo si lojtar profesionist, por ato mundësi që m’i jepte Universiteti. Kohën e lirë shkoja në stërvitje. Dy apo tri herë në javë dhe në lojë sipas mundësive. Prioritet kisha fakultetin”, thotë ai.

Përvoja në Çeki dhe titulli i parë në Mal të Zi

Megjithatë, fakultetit nuk i shkoi deri në fund. Ndërpreu studimet për t’u fokusuar në futboll. Ai rinisi karrierën në Çeki, saktësisht te klubi Viagem Usti nad Labem. Për skuadrën çeke luajti 15 ndeshje. Ai tregon se kishte kërkuar ndërprerjen para kohe të kontratës për shkak të një lëndimi.

“Në Çeki ishte e vështirë. Stërvitjet ishin të rënda. Pata një lëndim të vështirë dhe gati gjashtë muaj nuk luajta fare. Ishte mërzi e madhe dhe vendosa sërish të ndaloj dhe të vazhdoj me fakultetin”, ka theksuar ai.

Por mesfushori Kuç në vitin 2015 në Mal të Zi iu bashkua klubit nga Podgorica, Mladost, që sot njihet si Titograd. Me skuadrën nga Podorica fitoi titullin e kampionit, që ishte edhe i pari në histori. Ai bëri tjetër rikthim te Deçiqi. Kuç tregon se atëbotë, Deçiqi luftonte për mbijetesë. Sivjet fitoi titullin e kampionit në Mal të Zi.

Kuç në vitin 2016 apo 2017 përfundoi studimet për financa dhe biznes. Thotë se me përfundimin e studimeve, nga supet e veta kishte hequr një barrë të madhe.

Ekipi i fundit i Kuçit në Mal të Zi ishte Rudari. Ai me Rudarin u paraqit në garat e Evropës. Para se t’i bashkohej Ballkanit, Kuç kishte një përvojë të hidhur në Serbi.

Dhe pas përvojës jo të mirë në Serbi, Kuçit iu hap një derë e madhe në Kosovë.

Ai tregon kontaktin që kishte fillimisht me Visar Maksutajn dhe Arben Osmanin e më pas edhe takimin me presidentin Arsim Kabashi. Atëbotë trajner ishte Sami Sermaxhaj, i cili po ashtu kishte shprehur dëshirë ta kishte në ekip. Kuç zbulon se atëbotë Ballkani e kishte paguar 35 mijë euro në vit.

Megjithatë, Kuç zbulon se kishte hezituar në fillim t’i bashkohej Ballkanit. Thotë se nuk dinte asgjë për ligën dhe qytetin. Vetëm Pejën kishte vizituar, qytetin më të afërt me vendin e tij të lindjes, Rozhajën.

Lufta për mbijetesë

Kuç tregon se ishte pritur ngrohtë në Suharekë. Atëbotë Ballkani mezi siguroi mbijetesën.

“Kur kam ardhur në Kosovë, Ballkani ka luftuar për mbijetesë. Pas asaj sfide erdhi Ismet Munishi me të cilin kemi luftuar për titull të kampionit, ka qenë befasi pas asaj situate që kishim kaluar kur vinim nga lufta për mbijetesë. Dhe nga ai moment ka nisur revolucioni i Ballkanit”, ka shtuar Kuç.

Pas epokës me Munishin, Ballkanin e drejtuan edhe dy trajnerë tjerë, Bledi Shkëmbi dhe Bekim Isufi. Ballkani nuk fitoi asnjë trofe me Munishin, Shkëmbin dhe Isufin, ndonëse në garë për trofe ishte deri në fund. Dhe pas Munishit, Shkëmbit dhe Isufit, Kabashi ia besoi udhëheqjen e ekipit, trajnerit Ilir Daja. Me Dajën nisi edhe historia e Ballkanit.

Ai vlerëson investimin e presidentit të Ballkanit Arsim Kabashi dhe punën e trajnerit Ilir Daja. Në suksesin e tij thotë se meritë ka edhe gruaja e tij.

“Presidenti bashkë me profesorin kanë bërë një grup të jashtëzakonshëm. Pa grupin nuk mund të arrish asnjë sukses. Nuk kam parë një grup kaq të bashkuar nga presidenti deri te punëtori i fundit”, thotë ai.

Fituesit e Superligës për tre sezonet e fundit janë në kërkim të “hat-trickut” për paraqitje në grupet e njërës prej garave të Evropës. Ballkani po shikon mundësinë për t’u bërë klubi i parë kosovar që kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

Liga e Konferencës mund të mos jetë niveli më i lartë i futbollit evropian, por për një qytet të vogël është sukses madhështor.

“Tash kur po flas po më dridhet lëkura sinqerisht se është një ëndërr. të kesh ëndrra është shumë e madhe. Suhareka është qytet i vogël dhe për Ballkanin dhe gjithë rajonin është një e arritur e madhe. Ka qenë një gjë e madhe shumë. Duhet ta përjetuar për ta shpjeguar. Nuk mundesh me fjalë të përshkruash emocionin”, ka thënë Kuç. 

Edvin Kuç me fanellën e Malit të ZI

“I vjetër” për Kosovën, por i vlefshëm për Malin e Zi

Kuç te Ballkani ngrihej lojë pas loje, derisa u bë fillimisht lojtar me paraqitje të mira, pastaj kapiten dhe më vonë u përfshi në ekipin përfaqësues të Malit të Zi. Për Kosovën, Kuç ishte “i vjetër”.

“Unë kam thënë gjithmonë se kam mundur të luaj edhe për Kosovën, pasi Kosova është shtëpia ime e dytë. Kosova ma ka dhënë të gjithën, klubi i Ballkanit më ka ngritur si person dhe lojtar. Pastaj erdhi mundësia tjetër. Erdhi Mali i Zi. Nuk jam dorëzuar dhe e dija se do të vinte ai momenti im”, thotë ai.

Ai kujton se si përzgjedhësi i Malit të Zi i kishte kërkuar falje që e kishte ftuar më herët për të qenë pjesë e Malit të Zi. Për Malin e Zi ka shënuar tre gola në pesë ndeshje. Ai është ftuar edhe për dy ndeshjet miqësore që Mali i Zi i zhvillon ndaj Belgjikës dhe Gjeorgjisë.

Por para se t’i bashkohet Malit të Zi, Kuç duhet të përballet me emocione të forta të shtunën.

“Kam dëshirë që ta përfundoj karrierën këtu në Ballkan. Ballkani më ka ndihmuar shumë. Kur përmendet Edvini është sinonim Ballkani. Ka mundësi të kthehesh shpejt apo më vonë, është aventurë e re për mua dhe uroj të kem suksese si në Ballkan”, ka thënë Kuç.

Hapi i tij i radhës është Nefçi i Bakusë, që garon në elitën e futbollit të Azerbajxhanit.

Kthehet apo jo sërish të luajë në Kosovë, Kuç do të mbetet ikonë e klubit të Ballkanit.

VIDEO: