Futboll

Kaos në Bukuresht - lojtarët e Kosovës braktisin fushën pas thirrjeve “Serbi, Serbi”

5 muaj më parë Te Rumania presin fitore 3:0
5 muaj më parë Selektori rumun: E turpshme
5 muaj më parë Zyrtare: Përfundon ndeshja
5 muaj më parë Kthehet arbitri në fushë
5 muaj më parë Pa gola në pjesën e parë
5 muaj më parë Rast i mirë për Rumaninë
5 muaj më parë Rast i artë për Kosovën
Kosova

Kaos në Bukuresht - lojtarët e Kosovës braktisin fushën pas thirrjeve “Serbi, Serbi”, vendimin e merr UEFA

5 muaj më parë / 16 nën 2024 00:49
NDerprerja

Pak para mesnatës, arbitri danez Morten Krogh, doli në fushë dhe dha shenjë për fundin e ndeshjes. Afër tij ishin lojtarët e Rumanisë, por jo edhe lojtarët e Kosovës.

Ata braktisën fushën në minutat shtesë të ndeshjes. Pas një përplasjeje në fushë të kapitenit Amir Rrahmani me futbollistin rumun, Denis Alibec, u krijua një tollovi e madhe. U përfshinë shumica e lojtarëve, ndërkohë që në tribuna nisën fyerjet. Kishte thirrje “Serbi, Serbi”, ndër të tjera. Kishte edhe hedhje të gjësendeve në fushën e lojës. Ndërkohë disa prej lojtarëve të Kosovës e bënë figurën e shqiponjës dykrenare.

Pas thirrjeve “Serbi, Serbi”, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani u kërkoi lojtarëve të tjerë që të largohen nga fusha. Këtë edhe e bënë.

Ka pasur zhvillime të shumta ndërkohë, por lojtarët e Kosovës nuk u kthyen në fushë. Këtë ua ka kërkuar edhe arbitri Krogh, por lojtarët qëndruan prapa vendimit që të largohen. Tani vendimin final e merr UEFA. Nëse arbitri vlerëson se lojtarët e Kosovës e kanë braktisur ndeshjen pa të drejtë, atëherë ka gjasa që fitorja 3:0 t’u takojë rumunëve. Dalja e arbitrit për ta përfunduar ndeshjen në fushë, nuk duket se shkon në favor të Kosovës.

“Ndeshja e UEFA Ligës së Kombeve mes Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë. UEFA do të njoftojë për zhvillimet e mëtejme në kohën e duhur”, shkruan në njoftimin e UEFA-s, të publikuar të premten pak para mesnatës.

Ka pasur raportime nga mediet rumune se arbitri u ka kërkuar lojtarëve të Kosovës të kthehen në fushë, por se ata nuk kanë pranuar. Ndërprerja zgjati mbi një orë, para se arbitri të dilte në fushë dhe t’i binte bilbilit për herë të fundit. Lojtarët e Rumanisë kanë duartrokitur, duke bërë të qartë se çfarë vendimi presin.

Kur u ndërpre ndeshja, rezultati ishte 0:0. Në fakt ishin pak minuta deri në fund dhe gjasat që të ndryshonte rezultati ishte fare të vogla.

Në fushë, lojtarët e Kosovës kanë dominuar. Sidomos në pjesën e parë, dominimi ishte i plotë sa u takon rasteve. Muharrem Jashari bëri goditje të fortë e më pas Edon Zhegrova e Vedat Muriqi lëshuan rast të artë. Në fund të pjesës së parë, rumunët goditën traversën.

Pjesa e dytë ishte dukshëm më e zbehtë, por fundi i zjarrtë. Lojtarët e Kosovës provuan me goditje nga distanca, por pa rrezikuar seriozisht. Provuan Muharrem Jashari, Edon Zhegrova e më pas edhe Albion Rrahmani e Fisnik Asllani. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Rrahmani pati konfliktin me lojtarin rumun dhe u krijua tollovia e madhe.

Për herë të dytë në Bukuresht kishte thirrje anti-Kosovë. Në fakt, lojtarët e Rumanisë për shumë ditë kanë bërë thirrje që të mos ketë tensione nga tifozët. Dhe pikërisht kjo ndodhi në minutat e fundit të takimit.

Edhe vjet ndeshja ishte ndërprerë mbi 50 minuta, por lojtarët e Kosovës ishin kthyer dhe kishin vazhduar. Këtë herë vendosën të mos kthehen dhe kështu ndeshja u ndërpre, ndonëse me shenjën e arbitrit për fundin e saj.

“Në konferencën e ndjeshme kërkuam që çdokush të shfaqë respekt brenda dhe jashtë fushës. Para ndeshjes u kam thënë futbollistëve që të tregojnë se si Kosova mund të luajë futboll dhe këtë e kemi treguar në mënyrë të shkëlqyer. Fatkeqësisht në fund të ndeshjes humbi respekti. Dhe për këtë arsye fillimisht vendosëm që të largohemi nga fusha. Më pas kemi biseduar me futbollistët dhe gjithë të tjerët për t’u kthyer në fushë. Por problemi është që situata në stadium nuk ndryshoi. Dhe për këtë arsye më pas vendosëm të gjithë së bashku të mos kthehemi në fushë dhe të mos e vazhdojmë ndeshjen. Më vjen keq për këtë, pasi ekipi bëri lojë të shkëlqyer sonte. Por çdo kush duhet ta respektojë faktin se ne jemi Kosova. Shpresoj që në të ardhmen, UEFA të ndërmarrë hapa të duhur që ajo që ndodhi sonte të mos ndodhë prapë”, ka thënë selektori Franco Foda në konferencën e vonshme për shtyp të Kosovës.

Kosova të shtunën kthehet në atdhe, ndërsa të hënën luhet ndeshja me Lituaninë, e fundit e edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Vendi i parë në grup duket i pamundur, ndonëse ka mbetur që UEFA ta marrë vendimin final. Nuk dihet nëse vendimi do të merret menjëherë.

“Nuk mund të marrim pjesë në ndeshjen, në të cilën parimet themelore të UEFA-s nuk respektohen. Pati edhe racizëm dhe sjellje racore kundrejt ekipit kombëtar të Kosovës, prandaj kemi vendosur të mos marrim pjesë në këtë ndeshje, sepse është hera e dytë në të njëjtin stadium. S’ka as respekt e ka fyerje racore ndaj kombëtares që ne përfaqësojmë”, ka thënë Bajram Shala, menaxher i përfaqësueses së Kosovës. Ai foli i pari në konferencën për shtyp.

Në Rumani reagimet ishin të shumta. Një pjesë e mirë e opinionit e kanë vlerësuar të papranueshëm vendimin e Kosovës për ta braktisur ndeshjen.

Te Rumania presin fitore 3:0

5 muaj më parë / 16 nën 2024 00:42
Rumania

Në Rumani presin fitore 3:0 në tavolinë ndaj Kosovës. Rumunët vlerësojnë se Kosova e ka braktisur pa arsye ndeshjen.

Ish-arbitri, Constantin Zotta thotë se vendimi do të jetë në favor të Rumanisë.

“Nuk ka arsye pse të mos fitojmë në tavolinë. Asgjë nuk ka ndodhur. Ishte minuta e 92-të dhe shihej që lojtarët e Kosovës kanë dashur të fitojnë diçka në mënyrë jokorrekte. Qartë se do ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Zotta.

Qëndrim të njëjta kanë shfaqur edhe shumë personalitete të futbollit rumun. Udhëheqësi i klubit kampion ka kërkuar që Amir Rrahmani të largohet nga sporti pasi u kërkoi bashkëlojtarëve ta braktisin fushën.

Selektori rumun: E turpshme

5 muaj më parë / 16 nën 2024 00:28
Mircea Lucescu

Selektori i Rumanisë, Mircea Lucescu e ka vlerësuar të turpshëm vendimin e Kosovës për ta braktisur ndeshjen.

“E turpshme”, ka thënë Lucescu fillimisht.

“Ata ishin të turpshëm për shkak të sjelljes së tyre joprofesionale. Ata nuk janë lejuar të largohen nga fusha. Është diçka e pazakontë. Nuk kanë pasur arsye të protestojnë në këtë mënyrë. Ne jemi sportistë dhe bëjmë punën tonë në fushën e lojës. Ishin disa sifda të qarta. Nuk kishte incidente gjatë ndeshjes, nuk ka pasur thirrje kundër tyre. Një sjellje e tillë është e papranueshme. Nuk kam fjalë, nuk ka më shumë të diskutohet. Është e turpshme për të gjithë, një ndjenjë turpërimi ndaj tyre, si sportistë. Mund të shihet nga larg se kanë dashur të bëjnë këtë”, ka thënë Lucescu.

Rrahmani: Ndaluni të gjithë, Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri

5 muaj më parë / 16 nën 2024 00:23
Amir Rrahmani

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i ka bërë thirrje UEFA-s që të marrë masa dhe t’i mbrojë futbollistët kur përballen me sjellje raciste. Pas ndërprerjes së ndeshjes me Rumaninë në Bukuresht, Rrahmani ka thënë se në tri raste ka bërë përpjekje që ta bindë gjyqtarin për thirrjet anti-Kosovë në stadium.

“Ka pasur thirrje të vazhdueshme ‘Serbia, Kosova’. Kjo ndodhi për 90 minuta. Në minutat shtesë, nisën thirrjet me fjalë të tjera që s’dua t’i përsëris sepse është turp. I thash për herë të parë referit që t’i dëgjojë. Ai s’bëri asgjë. Herën e dytë s’deshi të dëgjojë. Pas herës së tretë i thash që do të dalim sepse kjo është shumë e gabuar. Ata kanë qenë në dijeni sepse Federata jonë ua ka bërë të qartë që të provojnë të shmangin këtë. Fansat nisën edhe më shumë pas kësaj me thirrjet ‘Kosova, Serbia’. Prandaj vendosëm të mos dalim më siç ndodhi vitin e shkuar”, ka thënë ai.

“UEFA duhet të vendosë sepse jemi futbollistë, jemi për të përfaqësuar këtu popullin tonë, shtetin tonë që ka të kaluar të rëndë. Një luftë e madhe ka marrë jetën e njerëzve, ka pasur masakra. Kjo është e tepërt. Ndaluni. Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri. Kaq. Këtu mbaron”, ka përfunduar kapiteni i Kosovës.
 

Foda: Nuk u kthyem pasi situata në stadium nuk ndryshoi

5 muaj më parë / 16 nën 2024 00:13
Franco Foda

Franco Foda

"Në konferencën e djeshme kërkuam që çdokush të shfaq respekt brenda dhe jashtë fushës. 
Para ndeshjes u kam thënë futbollistëve që të tregojnë se si Kosova mund të luaj futboll dhe këtë e kemi treguar në mënyrë të shkëlqyer. Fatkeqësisht në fund të ndeshjes humbi respekti. Dhe për këtë arsye fillimisht vendosëm që të largohemi nga fusha. Më pas kemi biseduar me futbollistët dhe gjithë të tjerët për t’u kthyer në fushë. Por problemi është që situata në stadium nuk ndryshoi. Dhe për këtë arsye më pas vendosëm të gjithë së bashku të mos kthehemi në fushë dhe mos të vazhdojmë ndeshjen. Më vjen keq për këtë, pasi ekipi bëri lojë të shkëlqyer sonte. Por çdo kush duhet ta respektojë faktin se ne jemi Kosova. Shpresoj që në të ardhmen UEFA të ndërmarrë hapa të duhur që ajo që ndodhi sonte mos të ndodhë prapë"

FFK: S’luajmë në ndeshje ku ka racizëm

5 muaj më parë / 16 nën 2024 00:10
FFK

Bajram Shala, menaxher i përfaqësueses së Kosovës, ka thënë pas ndeshjes se ekipi përfaqësues ka vendosur të mos e mbyllë ndeshjen me Rumaninë në fushë për shkak të racizmit të shfaqur.

“Nuk mund të të marrim pjesë në të cilën parimet themelore të UEFA-s nuk respektohen. Pati edhe racizëm dhe sjellje racore kundrejt ekipit kombëtar të Kosovës prandaj kemi vendosur të mos marrim pjesë në këtë ndeshje sepse është hera e dytë në të njëjtin stadium. S’ka as respekt e ka fyerje racore ndaj kombëtares që ne përfaqësojmë”, ka thënë ai pas ndeshjes në një konferencë për media.

 

UEFA del me njoftim për ndeshjen

5 muaj më parë / 16 nën 2024 00:01
Nderprerja

UEFA ka dalë me një njoftim të shkurtër për ndeshjen Rumani-Kosovë.

“Ndeshja e Ligës së Kombeve në mes të Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë. UEFA do të dalë me informacione të mëtejme në kohën e duhur”, thuhet në njoftim të mbylljes së takimit.
 

Zyrtare: Përfundon ndeshja

5 muaj më parë / 15 nën 2024 23:52
rumania

Arbitri i ka dhënë fund ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës. Lojtarët e Rumanisë ishin në fushë, por lojtarët e Kosovës kanë refuzuar të dalin.

Dhe arbitri dha shenjë se ndeshja përfundon.

Kosova kështu rrezikon ta humbë ndeshjen me rezultat 3:0.

Kthehet arbitri në fushë

5 muaj më parë / 15 nën 2024 23:42
Rumania

Arbitri i ndeshjes Rumani – Kosovë është kthyer në fushë. Ndërkohë janë kthyer edhe lojtarë të Rumanisë.

Por nuk po shihen lojtarët e Kosovës.

Mediumi rumun konfirmon që kishte thirrje “Serbia, Serbia”, tregon si vepruan tifozët pas largimit të Kosovës

5 muaj më parë / 15 nën 2024 23:26
Rumania

Mediumi rumun “Fanatik” ka konfirmuar se nga tifozët rumunë kishte thirrje “Serbia, Serbia”. Pas kësaj kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani tërhoqi ekipin në zhveshtore.

Kjo është pritur shumë rëndë nga tifozët rumunë. Huliganët rumunë kanë kërcënuar që do të hyjnë në fushë. Ka pasur policë të infiltruar në mesin e tifozëve për të ruajtur qetësinë.

“Do të hyjmë, do të hyjmë”, ishin thirrjet e tifozëve rumunë.

 


 

Popescu: E turpshme ajo që bënë kosovarët, nuk ndodhi asgjë

5 muaj më parë / 15 nën 2024 23:20
Gheorghe Popescu

Legjenda rumune, Gheorghe Popescu e ka vlerësuar të turpshme atë që bënë futbollistët e Kosovës.

Ai megjithatë ka pranuar se ka pasur hedhje në fushë. 

Lojtarët e Kosovës e lanë fushën për shkak të thirrjeve “Serbia, Serbia”.

“Objekte me gjasë janë hedhur, por kjo nuk është arsye që ndeshja të ndërpritet. Është vendim i referit që lojtarët mos të rrezikohen. Pse kanë pritur deri në minutën e fundit nëse kanë dashur të provokojnë? Është e turpshme ajo që kanë bërë kosovarët dhe shumë e rrezikshme”, ka thënë Popescu.

Zyrtari rumun: Ishte veprim i paramenduar

5 muaj më parë / 15 nën 2024 23:13
Nderprerja

Mihai Stoica, menaxher gjeneral i FCSB, kampionit rumun, ka thënë se tërheqja e Kosovës nga ndeshja ishte veprim i paramenduar.

“Veprimi i Rrahmanit, që të gjithë duhet të largohen nga fusham ishte qartë se ishte i paramenduar. Rrahmani duhet të largohet na jeta sportive. Nuk kam parë ndonjëherë diçka të tillë. Janë gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin, janë gjëra të menduara”, ka thënë Stoica.

Mediumi rumun: Arbitri u mundua të mos lejojë lojtarët e Kosovës të dalin nga fusha

5 muaj më parë / 15 nën 2024 22:59
NDerprerja

Mediumi rumun “fanatik” ka shkruar se arbitri danez është munduar të ndalë lojtarët e Kosovës të largohen nga fusha. 

Po ashtu ky medium ka shkruar se lojtarët e Kosovës kanë shfaqur figurën e shqiponjës dykrenare.

Ndeshja vazhdon të jetë e ndërprerë.

Tërhiqet Kosova, ndërpritet ndeshja

5 muaj më parë / 15 nën 2024 22:44
NDerprerja

Lojtarët e Kosovës janë larguar nga fusha në stadiumin në Bukuresht.

Ka pasur thirrje anti-Kosovë, përkatësisht "Serbia, Serbia" dhe lojtarët janë larguar në drejtim të zhveshtores.

Thirrje anti-Kosovë, ndërpritet ndeshja

5 muaj më parë / 15 nën 2024 22:43
NDerprerja

Vazhdojnë tensionet në ndeshjen Rumani – Kosovë.

Në tribuna ka thirrje anti-Kosovë dhe lojtarët kërkojnë që ndeshja të ndërpritet.

Tensione në ndeshjen Rumani – Kosovë

5 muaj më parë / 15 nën 2024 22:40
Vojvoda

Në fund të ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës janë paraqitur tensione. Kapiteni Rrahmani ka kapur për fyti futbollistin rumun Alibec. 

Më pas është afruar edhe Aro Muriq, ndërsa janë përfshirë thuajse të gjithë lojtarët. 

Me karton të verdhë është ndëshkuar kapiteni Amir Rrahmani.

Pa gola në pjesën e parë

5 muaj më parë / 15 nën 2024 21:36
Kosova

Kosova ka dominuar por nuk ka shënuar gola në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Rumanisë. 

Raste të mira kishin sidomos Zhegrova e Muriqit, por edhe Muharrem Jashari.

Rumunët goditën traversën në minutat e fundit.

Rast i mirë për Rumaninë

5 muaj më parë / 15 nën 2024 21:29
kos

Rumania ka rrezikuar për herë të parë portën e Kosovës. 

Në minutën e 41-të, Nicolae Stranciu goditi lehtë traversën.

Rast i artë për Kosovën

5 muaj më parë / 15 nën 2024 21:16
Kosova

Raste të artë ka lëshuar Kosova në ndeshjen ndaj Rumanisë.

Pas gabimit të portierit rumun, Edon Zhegrova e Vedat Muriqi nuk ia dolën të shënojnë.

Ndodhi kjo në minuten e 28-të.

Kosova më e rrezikshme në fillim të ndeshjes, Jashari me “bombë”

5 muaj më parë / 15 nën 2024 21:04
Muharrem Jashari

Kosova po shfaqet më e rrezikshme në fillim të ndeshjes me Rumaninë.

Po shquhet Muharrem Jashari në krah. Ai madje bëri një goditje të fuqishme në minutën e 17-të.

Rezultati megjithatë mbetet 0:0.

Fishkëllima gjatë himnit të Kosovës

5 muaj më parë / 15 nën 2024 20:42
Himni

Fishkëllimat nuk po ndalen në stadiumin në Bukuresht gjatë intonimit të himnit të Kosovës.

Huliganët serbë me thirrje anti-shqiptare

5 muaj më parë / 15 nën 2024 20:27
Huliganet

Ende pa nisur ndeshja Zvicër – Serbi janë regjistruar provokimet e para të huliganëve serbë.

“Kush nuk kërcen është shqiptar”, kanë thirrur huliganët serbë në afërsi të stadiumit “Letzigrund” në Zurich.

Thirrje tjetër e tyre ka qenë "Kosova është zemra e Serbisë".

 

 

Tifozët e Kosovës në zonën “VIP” të stadiumit në Bukuresht

5 muaj më parë / 15 nën 2024 20:19
Tifozet

Kosova do të ketë përkrahje nga një grup i vogël tifozësh në ndeshjen ndaj Rumanisë në Bukuresht.

Madje ata do të vendosen në zonën VIP, ndërsa janë shoqëruar nga xhandarmëria rumune.

Kështu të paktën shkruan mediumi rumun “fanatik”.

Policia rumune njofton se sa serbë i shoqëroi

5 muaj më parë / 15 nën 2024 19:59
policia në rumani

Policia rumune doli me një komunikatë para ndeshjes Rumani – Kosovë.

“Lidhur me specifikat e ndeshjes Rumani – Kosovë, e mohojmë informacionin që doli në publik që thotë se ‘katër tifozë serbë janë arrestuar nga policia rumune për fanella me mesazhin ‘Basarabia është Rumani – Kosova është Serbi’. Materialet me mesazhin e parë nuk janë sekuestruar, ndërsa ato me mesazhin ‘Kosova është Serbi ‘ janë depozituar në dhomën e objekteve të ndaluara, pasi nuk lejohen në arenën sportive nga organizatori i ngjarjes, në përputhje me rregulloet e UEFA-s. Theksojmë se personat në fjalë nuk janë ‘arrestuar’. Ata janë dërguar në komesariat për konstatimin e identitetit”, shkruan në komunikatën e policisë së Rumanisë.

Formacioni: Muriqi udhëheq sulmin, starton Jashari

5 muaj më parë / 15 nën 2024 19:31
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi do ta udhëheqë sulmin e Kosovës në ndeshje ndaj Rumanisë.

Pas tij janë Florent Muslija, Edon Zhegrova e Muharrem Jashari.

Mesfusha përbëhet nga Valon Berisha e Elvis Rexhbeçaj, ndërsa në mbrojtje pos Amir Rrahmanit janë edhe Lumbardh Dellova,Mërgim Vojvoda e Florent Hadërgjonaj.

Aro Muriq është në portë.