Futboll

Kampioni luan ndaj ekipit të fundit në tabelë

leverkusen

Kampioni i Bundesligës, Bayer Leverkuseni, me Granit Xhakën në mesfushë, duhet të fitojë ndaj skuadrës së vendit të fundit në tabelë, Bochumit.

Në të kundërtën Leverkuseni do të rrezikonte që edicioni i përkryer, kur e fitoi titullin pa asnjë humbje, shpejt ta kthente në harresë.

Ndeshja Bochum – Leverkusen luhet të shtunën nga ora 15:30. I takon xhiros së dhjetë të elitës gjermane të futbollit.

Leverkuseni ka 16 pikë pas nëntë ndeshjeve, kurse Bochumi e ka vetëm një pikë.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Xabi Alonso, Leverkuseni e ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa diferenca me liderin, Bayernin, tani është shtatë pikë.

Bayerni kthehet në Bundesligë pas fitores 1:0 ndaj Benficas.

Bavarezët kanë 23 pikë në kampionat, ndërsa udhëtojnë në Hamburg për të luajtur ndaj St. Paulit të shtunën nga ora 15:30.

Të shtunën nga ora 18:30 luan Leipzigu me Monchengladbachun.

Leipzigu është i dyti me 20 pikë, ndërsa Monchengladbachu është në mesin e tabelës me 13 pikë.