Sulmuesi i krahut Jasir Asani është ndarë i kënaqur me golin dhe fitoren e Shqipërisë në miqësoren ndaj Lihtenshtajnit në Hungari. Shqipëria fitoi 3:0 të hënën mbrëma. Asani ka thënë se Shqipëria duhet të shkojë në Gjermani me mentalitet fituesi.
“Kam luajtur në Hungari dhe sigurisht që ndjehem mirë. Kur klubi nuk të ndihmon, të ndihmon Shqipëria, stafi i saj. Edhe pse nuk kam pasur minuta shumë në klub, kam stërvitur për të qenë gati për miqësoret dhe ndeshjet e Evropianit. Çdo ndeshje është e vështirë, si miqësore ashtu edhe kualifikuese. Ne japim maksimumin për të fituar ndeshjen. Duhet ta japim maksimumin për këtë fanellë. Duhet të shkojmë në Gjermani me mentalitet fituesi”, ka thënë Asani.
Shqipëria në grup është me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Asani thotë se Shqipërinë e pret ndeshje e madhe ndaj Italisë.
“Na pret ndeshje e madhe ndaj Italisë. Pavarësisht kush do të jetë, ai që do të jetë në fushë do të jemi një dhe do të japim maksimumin. Duhet ta japim shpirtin për të shënuar fitore”, ka thënë Asani.