Kapiteni i Ballkanit, Bajram Jashanica, e cilëson të rëndë eliminimin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ai ka theksuar se eliminimi i Ballkanit nga klubi amator i Andorrës, Santa Coloma, është i dhimbshëm.
Suharekasit të martën humbën 6:5 pas ekzekutimit të penalltive.
Eliminimin e hershëm, Jashanica e arsyeton edhe me ndryshimet në skuadër.
Në fakt, Ballkani ka pësuar ndryshime të shumta prej se e fitoi titullin e tretë rresht të kampionit të Kosovës. Lojtarë të rëndësishëm si Edvin Kuç, Armend Thaqi, Nazmi Gripshi, Lumbardh Dellova, Lorenc Trashi e plot të tjerë janë larguar nga Ballkani. Ndërkohë, kanë ardhur shumë lojtarë të tjerë. Por sipas Jashanicës, prurjeve të reja u duhet ende kohë.
“Të gjithë e dinë që kemi bërë shumë ndryshime dhe sigurisht tani na duhet pak kohë që të ambientohemi me lojtarët e rinj, sepse janë larguar 5-6 lojtarë të ekipit bazë gjatë afatit kalimtar, e që është shumë largimi i 60 % të ekipit. Na duhet pak kohë që të kthehemi me lojën e bukur dhe rezultatet. Sigurisht që eliminimi është i rënd, por që duhet harruar shpejtë, sepse shumë shpejtë do të kemi ndeshje tjera dhe kam besim se do t’u kthehemi rezultateve pozitive”, ka thënë Jashanica të enjten për KOHËN.
UE Santa Coloma e fitoi 2:1 ndeshjen që nuk përfundoi pas 120 minutash që u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Me rezultat të njëjtë, 2:1, Ballkani kishte fituar javën e kaluar në Andorrë kundër skuadrës që kishte humbur 16 ndeshjet e saj të mëparshme në kupat evropiane.
Por, me penallti UE Santa Coloma fitoi ndaj Ballkanit dhe kështu siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Championsit
“Pas rezultatit të mirë në Andorrë 2:1, vlerësuam edhe ndeshjen e dytë, por kartoni kuq na prishi punët. Deri në minutën kur ishim të barabartë në fushë, kishim 4-5 raste të rrezikshme, ndërsa kundërshtari nuk rrezikoi aspak. Por në pjesën e dytë, normalisht shpenzuam energji me një lojtar më pak. Edhe temperatura e lartë e bëri të veten. Unë për shkak të një lëndimi që kam pasur u detyrova të dalë, por që deri në minutën e fundit vetëm me ndonjë goditje standarde kundërshtari rrezikoi”, është shprehur Jashanica.
Ballkani ishte eliminuar edhe në dy edicionet e kaluara në raundin e parë kualifikues të Championsit. Por më pas rrugëtimin në Evropë e vazhdoi me shumë sukses, duke u paraqitur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.
Rrugëtimin sërish do ta vazhdojë në Ligën e Konferencës. Në rundin e dytë do të luajë kundër Hamrunit të Maltës.
“Eliminimi është i dhimbshëm, por që duhet ta harrojmë shpejtë dhe të vazhdojmë përpara. Ia kemi vështirësuar shumë punët vetes, por që duhet të luftojmë për çdo ndeshje që të arrijmë atë që e kemi arritur në dy edicionet e kaluara. Ballkani është ndërtuar për sukses. Kartoni i kuq na vështirësoi lojën shumë e po ashtu edhe momenti i pranimit të golit në minutat e fundit. Por duhet ta harrojmë sa më shpejtë dhe të kthehemi te rezultatet pozitive. Kemi lojtar shumë të mirë, por që na duhet pak kohë. Do të kthehet sërish ai Ballkani të cilin të gjithë e njohin”, thotë qendërmbrojtësi 33-vjeçar.
Ai beson se Ballkani ka kapacitet për të përsëritur sukseset e viteve të fundit. Ballkani e ka fituar tri herë rresht titullin e kampionit. Ka fituar edhe një Kupë, ndërsa synon përsëritjen e sukseseve edhe në edicionin 2024/2025.
“Do ta tregojmë karakterin e fortë që e kemi pasur gjithnjë. Kemi përpara ndeshjet e Evropës ku synojmë të shkojmë sa më lart, pastaj vjen periudha e ndeshjeve në kampionat dhe për kupë. Kemi lojtarë të mirë, staf trajnerësh dhe president që gjithnjë na qëndron afër për çdo gjë. Besoj që ky ekip do të tregoj shumë më shumë se këto dy ndeshje”, ka thënë Jashanica.