Futboll

Januzaj i pafat, pëson lëndimin e tretë rresht

Adnan Januzaj

Kalimi i Adnan Januzajt te Las Palmas u pa me shumë dyshim në Spanjë, sidomos për gjendjen e tij fizike. Ai iu bashkua Las Palmasit pas një sezoni dëshpërues me fanellën e Sevillas. Megjithatë, në ndeshjen e tij të parë me fanellën “verdhezi” kundër Al Shabab, shënoi gol duke dhënë sinjale pozitive.

Por vetëm gjashtë ditë më vonë, në një ndeshje miqësore kundër Tamaraceite, futbollisti kosovar pësoi një lëndim që e detyroi të largohej me barelë dhe ishte mbeti jashtë fushës për më shumë se një muaj. Me kthimin e tij në fund të shtatori, Januzaj u rikthye duke treguar se mund të kontribuonte për ekipin e drejtuar, atëkohë nga Luis Carrion.

Me një asistim në ndeshjen kundër Villarrealit dhe një gjuajtje që përfundoi në traversë dha shenja të tjera.

Kur gjithçka dukej se ishte kthyer në normalitet, Januzaj u lëndua sërish. Këtë herë në stërvitje. Lëndimi e mbajti edhe për një muaj jashtë fushës.

Las Palmas priti një muaj e gjysmë për kthimin e Januzajt nga lëndimi, ndërsa ai mezi qëndroi gjysmë ore në fushë të martën në ndeshjen për Kupë të Spanjës kundër CE Europa.

Trajneri i Las Palmas, Diego Martinez, konfirmoi se lojtari i huazuar nga Sevilla e mbylli ndeshjen i lënduar.

“Januzaj është lënduar. Ai lëndoi nyjën e këmbës dhe për këtë arsye kaloi në sulm në minutat e fundit dhe kemi luajtur pothuajse me një lojtar më pak”, ka thënë Martinez, shkruan të enjten gazeta spanjolle “AS”.

Një histori që përsëritet. Ato dyshime që ishin në fillim po dalin të jenë të sakta rreth gjendjes së tij fizike. Janë dëshmi që karriera e tij duket gjithnjë e më larg synimit që ka lojtari për t’u rikthyer në nivelet e larta të futbollit.

Januzaj që dikur vlerësohej prej talenteve me të mëdhenj në futboll, nuk po gjen rehati. Sidomos me lëndimet. Ai edhe në të kaluarën është përballur me lëndime.

Më herët ka qenë pjesë e Manchester Unitedit, Bourssia Dortmundit, Sunderlandit, Real Sociedadint, Bashakshehirit, ndërsa gjatë verës u huazua nga Sevilla te Las Palmasi.

Me Sevillan, Januzaj ka kontratë deri në qershor të vitit 2026. Edhe për Sevillan luajti pak. Ka luajtur vetëm 17 ndeshje.