Futboll

Italia, bartëse në shortin e Kupës së Botës

Italia

Fitorja 3:0 e Spanjës ndaj Serbisë do të thotë se Italia do të jetë në vazon e parë të shortit për Kupën e Botës, edhe nëse i humbin të dyja ndeshjet e muajit nëntor në Ligën e Kombeve. 

Kështu ka shkruar të mërkurën mediumi italian “Sport Mediaset”. 

Italisë i duhej vetëm një pikë për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kombeve dhe për ta marrë statusin e skuadrës bartëse për shortin e Botërorit 2026. 

Në muajin nëntor, Italia luan kundër Francës dhe Belgjikës. 

Bartëse në shortin e Botërorit do të jenë tetë çerekfinalistët e Ligës së Kombeve dhe katër skuadrat me renditjen më të mirë të FIFA-s.

Në vazon e parë do të jenë edhe Gjermania, Spanja, Franca, Belgjika, Anglia, Portugalia, Italia dhe Holanda. 

Katër skuadrat tjera që janë afër për ta siguruar vazon e parë në short janë Kroacia dhe Zvicra, ndërsa Hungaria, Polonia, Danimarka dhe Serbia do të luftojnë për dy vendet e tjera. 

Italia është pa humbje në katër ndeshjet e fundit, falë fitoreve ndaj Francës, dy herë ndaj Izraelit dhe barazimit me Belgjikën.