Trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, ka vlerësuar se Drita e fitoi me meritë ndeshjen e së shtunës në Klinë. Sipas tij duhet edhe pak kohë që të shihet fytyra e vërtetë e Dukagjinit.
“Ndeshjen e kemi përgatitur duke e njohur kundërshtarinv që është cilësor. Pikët e forta i kemi neutralizuar. Duhet të jemi më cinik. Kishim disa gjysmëraste. Po të shënonim të parët rrjedha do të ishte ndryshe. Drita sot fitojë me meritë, por ne dhamë gjithçka nga vetja. I falënderoj lojtarët. Ne do të vazhdojmë punën. Besoj se do të kemi paraqitje edhe më të mira. Ne kemi bërë ndryshime në skuadër. Na duhet edhe pak kohë. Kemi ndërruar edhe filozofinë e lojës dhe na duhet edhe pak kohë që të shohim fytyrën e vërtetë të Dukagjinit”, ka thënë Munishi për transmetuesin e ndeshjeve.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani ka thënë se fakti që dy zëvendësues vendosën sfidën dëshmon për konkurrencën e madhe që është në skuadër. Ai ka thënë se vetëm në momentin e fundit ka vendosur kush do të startojë e kush do të mbetet në stol.
“Një luftë sportive nga të dy palët. Ishin dy momente ku arritëm të shënojmë. Kjo është përvoja e ekipit. Cdo gjë ishte në kontroll nga minuta e parë e deri në minutën e fundit. Çdo fitore rrit vetëbesimin, entuziazmin, mobilizimin, por e bën edhe më të ëmbël konkurrencën. Futet futbollisti dhe shënon gol dhe arrihet fitorja, pa anashkaluar edhe kontributin e atyre që startuan. Duhet të jemi me këmbë në tokë pasi është vetëm fillimi i kampionatit”, ka thënë Ramadani.