Dy qendërmbrojtësit Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla kanë stërvitur të ndarë nga grupi të mërkurën, në stërvitjen e fundit në Tiranë para ndeshjes kundër Anglisë.
“Skuadra zhvilloi një seancë të plotë stërvitore, që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli u stërvitën të diferencuar, por të dy futbollistët do të udhëtojnë me skuadrën drejt Londrës dhe deri në fund do të vlerësohet gjendja e tyre për ndeshjen me Anglinë.
Stërvitja, në minutat e para u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas u fokusua te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë”, shkruan në njoftimin e Federatës Shqiptare e Futbollit.
Ndeshja Angli – Shqipëri luhet të premten në stadiumin ikonik në “Wembley” të Londrës dhe nis nga ora 20:45. Kjo ndeshje është e para kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, të enjten nga ora 18:15 do të paraqitet në konferencë për media bashkë me një lojtarë të ekipit kuqezi. Pas konferencës, Shqipëria do ta zhvilloj në “Wembley” stërvitjen e fundit para ndeshjes ndaj Anglisë. Më 24 mars, Shqipëria e pret Andorrën në Tiranë. Krahas Anglisë dhe Andorrës, Shqipëria në grup ka edhe Serbinë dhe Letoninë.