Futboll

Islanda shpall listën, synohen fitore ndaj Kosovës

islanda

Përzgjedhësi i Islandës, Arnar Gunnlaugsson, ka publikuar listën prej 23 lojtarësh për dy ndeshjet kundër Kosovës. Gunnlaugsson pret fitore me meritë ndaj Kosovës në dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve. 

Ndeshjet e plejofit për inkuadrim apo mbetje në Ligën B të Ligës së Kombeve, Kosova i luan më 20 dhe më 23 mars.

Fillimisht do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa tri ditë më pas ballafaqohet me islandezët në Spanjë, përkatësisht në stadiumin “Enrique Roca” në Murcia.

Përzgjedhësi Gunnlaugsson ka vlerësuar ekipin e Kosovës. Por ka insistuar se synimi i islandezëve është qëndrimi në Ligën B të Ligës së Kombeve.

“Është një ekip me individë të talentuar, me lojtarë që luajnë për shembull për Napolin, Mallorcan, Lillen dhe Freiburgun. Kosova ka trajner me përvojë, i cili ka drejtuar edhe Austrinë para Ralf Rangnickt. Ai ka përvojë në futbollin ndërkombëtar. Kosova është 29 vende më poshtë se ne në renditjen botërore, por diferenca ndërmjet skuadrave nuk është aq e madhe”, ka thënë Gunnlaugsson në konferencë për media të mërkurën.

Ai mori drejtimin e Islandës më 16 janar. 51-vjeçari Gunnlaugsson e zëvendëson 71-vjeçarin Age Hareide, i cili u pensionua në muajin nëntor.

Ai i ka cilësuar të vështira ndeshjet ndaj “Dardanëve”.

“Do të jenë dy ndeshje të vështira. Ne kemi një ndeshje në ‘shtëpi’ në Spanjë, jo këtu. Unë dua që ndeshjet t’i luajmë në shtëpi, pasi pres ndeshje të vështira”.

Islanda luan për mbetje në Ligën B. Ishte renditur e treta në Grupin B4, ku ishin Uellsi, Turqia e Mali i Zi.

Kosova kërkon që të inkuadrohet për herë të parë në Ligën B. Në Ligën C mbeti prapa Rumanisë në grup, ndërsa ishte më e suksesshme se Qipro e Lituania.

“Sigurisht që dua të fitojmë, ne duam të mbetemi në Ligën B, pasi kjo ligë është më e mirë për ne. Megjithatë, nuk dua mbetemi nëse nuk tregojmë progres. Nëse arrijmë disa fitore me fat dhe nuk mësojmë asgjë, nuk do të na shërbejë asgjë kur të nisim në vjeshtë ndeshjet e vërteta”, ka theksuar selektori i Islandës, duke iu referuar kualifikimeve të Kupës së Botës 2026.

Kosova u përball me Islandën në kualifikimet e para, ato për Botërorin 2018. Humbi 2:1 në Shkodër dhe 2:0 në Reykjavik, në vitin 2017.