Futboll

Inzaghi flet në superlativ për Asllanin

Kristjan Asllani

“Tuttomercatoweb” ka shkruar të shtunën se Kristjan Asllani pritet të jetë titullar për duelin ndaj Juventusit. 

Asllani kishte pësuar lëndim sa ishte me Shqipërinë në ndeshjet e muajit tetor në Ligën e Kombeve. Mesfushori i Interit ia kishte siguruar Shqipërisë pikët e plota në udhëtim ndaj Gjeorgjisë, por i ka munguar Interit në dy ndeshjet e fundit, ndaj Romës dhe Young Boysit. 

Megjithatë, në konferencën për shtyp të shtunën para ndeshjes derbi me Juventusin, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka folur fjalë të mëdha për Asllanin që pritet ta zëvendësojë Hakan Çalhanoglun. 

“Ne e dimë sa i rëndësishëm është Çalhanoglu, është lojtar i klasit botëror. Zëvendësuesi i tij natyral është Asllani. Nëse ai më bind, do të jetë titullar. Asllani është lojtar që është përmirësuar shumë në vitet e fundit. Fati i tij i keq është që në konkurrencë e ka Hakanin. Për fat të keq, ai pati telashe ndaj Romës. Është kthyer në stërvitje por duhet ta shikojmë gjendjen e tij. Në të njëjtin rol ne e kemi edhe Barellan dhe Zielinskin, por do të vendos për formacion të dielën në mëngjes”, ka thënë Inzaghi në konferencën për shtyp të shtunën. 

Inter – Juventus zhvillohet të dielën nga ora 18:00 dhe i takon xhiros së nëntë të Serie A të Italisë.