Bayer Leverkuseni ka vazhduar serinë rekorde dhe i është afruar në vetëm një ndeshje synimit të madh për ta mbyllur edicionin në Bundesligë pa pësuar disfatë.
Të dielën mbrëma Leverkuseni fitoi thellë, 5:0 ndaj Bochumit. Leverkuseni ishte mysafir, ndërsa gjërat u bënë më të lehta për këtë skuadër në minutën e 15-të kur Felix Passlack u përjashtu me të kuq.
Patrik Schick në minutën e 41-të dhe Victor Boniface në minutën e dytë shtesë shënuan në pjesën e parë për 2:0.
Amine Adli vazhdoi serinë e golave në minutën e 76-të. Josip Stanishiq shënoi gol tjetër në minutën e 86-të, kurse për 5:0 realizoi Alex Grimaldo në minutën e 93-të.
Granit Xhaka luajti deri në minutën e 79-të për Leverkusenin, që tani është në seri prej 50 ndeshjeve pa humbje. Është seria më e gjatë pa humbje prej se kanë nisur garat kontinentale.
Ndërkohë asnjë skuadër deri më tani nuk e ka përfunduar edicionin në Bundesligë pa pësuar disfatë. Këtë do ta arrijë Leverkuseni nëse e shmang disfatën nga Augsburgu më 18 maj në shtëpi.
Më pas skuadrën e Xhakës e presin ndeshjet finale të Ligës së Evropës dhe të Kupës së Gjermanisë.
Në finale të Ligës së Evropës luan ndaj Atalantas më 22 maj, ndërsa për Kupë të Gjermanisë luan me Kaiserslauternin tri ditë më pas.
Titullin e kampionit në Bundesligë, Leverkuseni e ka siguruar shumë javë më parë.