Futboll

Ibrahimoviqi vazhdon kontratën, do të luajë me ekipin e parë të Bayernit

Arijon Ibrahimoviq

Arijon Ibrahimoviq

Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq, e ka vazhduar kontratën me gjigantin gjerman Bayern Munich. Lajmi është bërë i ditur të martën nga klubi gjerman.

18-vjeçari ka nënshkruar kontratë që do ta mbajë te Bayerni deri në vitin 2027. Ibrahimoviqi u shpreh i lumtur për vazhdimin e kontratës me skuadrën bavareze.

"Jam i kënaqur që po e vazhdoj kontratën me Bayernin dhe që po kthehem në shtëpi. Unë kam luajtur për këtë klub që kur isha i vogël. Edicioni në Serie A më ka zhvilluar si person dhe si lojtar dhe kam mësuar shumë. Mezi pres të filloj. Dua të vazhdoj të përmirësohem, të jap gjithçka për ekipin dhe të fitoj sa më shumë trofe”, ka thënë Ibrahimoviqi.

Në edicionin 2023/2024, sulmuesi ishte i huazuar te skuadra italiane Frosinone. Për klubin italian ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me një asistim.

Te Bayerni, Ibrahimoviqi do t’i bashkohet ekipit të parë që tani drejtohet nga Vincent Kompany. Në klubin më të madh gjerman janë të kënaqur me zhvillimin e Ibrahimoviqit te Frosinone dhe vlerësojnë se tani ai është i gatshëm të luaj në Bundesligë.

“Do ta ketë rastin të impresionojë në ekipin e parë. Arijoni mund të luaj në secilën pozitë në sulm, ka mentalitet të fortë dhe gjithnjë pamje të mirë para portës. Ai erdhi në kampusin e Bayernit në moshën 12-vjeçare dhe ne jemi të lumtur me zhvillimin e tij”, ka thënë Christoph Freund, drejtor sportiv i Bayernit.