Futboll

Ibrahimoviqi përgëzon trajnerin e Milanit

Zlatan Ibrahimoviq

Ish-sulmuesi i njohur, Zlatan Ibrahimoviq, që tashmë është edhe këshilltar i pronarëve dhe menaxhmentit të Milanit, e ka përgëzuar trajnerin portugez, Sergio Conceiçao, për triumfin në Superkupën e Italisë.

Milani të hënën në mbrëmje e mposhti Interin në finale të Superkupës me rezultatin 3:2.

Conceiçao, që mori drejtimin e Milanit pak ditë më parë, e fitoi trofeun e parë me skuadrën kuqezi pas vetëm dy ndeshjeve.

“Dua të përgëzojë trajnerin dhe ekipin e tij teknik. Në vetëm pak ditë, Conceiçao së bashku me ekipin e tij kanë bërë një punë të shkëlqyer. Dua t’i përgëzojë edhe lojtarët.

Futbollistët e fituan këtë trofe me djersë, sakrificë dhe dëshirë për të fituar. Kur një ekip ka këtë dëshirë për të fituar, është e vështirë t’a mundësh. Me këtë mentalitet tani kthehemi në Itali. Ky është Milani, ne luajmë për këta trofe, kush dëshiron të bëjë historinë e klubit duhet t’i fitojë këto kupa”, ka thënë Ibrahimoviq, shkruajnë të martën mediumet italiane.

50-vjeçari Conceiçao ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Milanin. Ai e zëvendësoi portugezin tjetër, Paulo Fonseca.

Në gjysmëfinale të Superkupës, Milani fitoi 2:1 ndaj Juventusit.

Milani e ka fituar Superkupën italiane për herë të tetë.