Futboll

“I shkëlqyer, fantastik” – Aro Muriqi kalon momentin e vështirë në Premier League

Arijanet Muriq

Te Burnley i kanë dalë në përkrahje portierit të Kosovës, Arijanet Muriq, pas dy ndeshjeve të vështira që i kishte. Paraqitjet e Muriqit ndaj Evertonit dhe Brightonit i kishin kushtuar me pikë të rëndësishme Burnleyt.

Por trajneri Vincent Kompany e mbajti në portë kosovarin. Dhe besimin e treguar, Aro Muriqi e shpërbleu me paraqitje tjetër impresive, çfare i kishte para atyre dy ndeshjeve në të cilat i mungoi edhe fati. Të shtunën ndaj Sheffieldit, Muriqi bëri dhjetë pritje, ndërsa Burnley fitoi 4:1. Deri në fund të kampionatit në Premier League, Burnley i ka edhe katër ndeshje. Skuadra vazhdon të mbetet e parafundit në kampionatin anglez me 23 pikë, por ka ende gjasa për të siguruar mbetjen në elitë.
I pyetur për pritjet e shumta të Muriqit, Kompany është përgjigjur: “Varet si e trajtoni. Unë pres që lojtarët të kalojnë periudha të vështira, pavarësisht nëse bëhet fjalë për porterin, mbrojtësit apo sulmuesit. Ne kemi një grup vërtetë të talentuar dhe lojtarët presin me padurim ndeshjen e radhës. Ai ishte i shkëlqyer sot. Kemi luksin e dy portierëve shumë cilësorë dhe ata të dy kanë qenë shumë të mirë gjatë gjithë sezonit”.

25-vjeçari Aro Muriq tashmë i ka gjashtë paraqitje në Premier League. Fitoi besimin pak javë më parë, kur skuadra po shkonte drejt kategorisë së dytë.

“Ai bëri pritje të mira në secilën ndeshje. Nuk është opsion që mos t’i mbështesim lojtarët tanë. Ne po përballemi me nivel shumë të lartë. Duhet të mbështesim talentin që e kanë lojtarët. Ishte paraqitje impresive nga ekipi”, ka shtuar Kompany.

Mesfushori Johann Berg Gudmundsson po ashtu kishte fjalë të mëdha për porterin Aro Muriq.

“Po, absolutisht fantastik. Mendoj se ai na mbajti në lojë. Ishin disa momente në pjesën e parë, disa momente pas rezultatit 2:1 po ashtu, kur ai bëri pritje fantastike. Ai është porteri fantastik. Jemi me  fat që kemi dy portierë absolutisht fantastikë. Ai ishte pa fat në dy ndeshjet e kaluara, por shfaqi karakter, njëjtë si ekipi”, ka thënë Gudmundsson.

Edhe mediat e afërta me Burnleyn kanë vlerësuar lartë paraqitjen e Muriqit. Kthimi i tij pas periudhës së vështirë është i rëndësishëm edhe për Kosovën. Ai është portieri i parë i përfaqësueses dhe i vetmi që paraqitet në liga të nivelit të lartë.