Futboll

I inspiruar nga Ronaldo, Asani synon suksesin në “Champions”

Jasir Asani

Jasir Asani erdhi nga banka rezervë për të lënë gjurmë te Gwangju në duelin ndaj Shanghai Shenhuas të mërkurën, duke shënuar gol me prekjen e parë të topit. Goli i sulmuesit të Shqipërisë në minutën e 57-të doli të jetë vendimtar në fitoren e Gwangjut, ndërsa për të ishte goli i shtatë i edicionit aktual të Ligës së Kampionëve të Azisë. 

“Dëshiroj që ta shtyj veten të bëhem golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve të Azisë”, thotë Asani në intervistën dhënë për faqen zyrtare të Konfederatës së Futbollit të Azisë. 

“Natyrisht, futbollisti më i mirë i garës është Ronaldo, i cili shënoi dy gola këtë javë. Ai më jep motivim për të synuar trofeun e golashënuesit më të mirë. Dua të jap gjithçka për skuadrën sepse e meriton, njësoj siç e meriton edhe trajneri. Kjo është hera e parë që Gwangju po merr pjesë në këtë garë dhe shpresoj ta arrijmë këtë nivel çdo vit. Pa bashkëlojtarët do të ishte shumë e vështirë të shënoja. Dua t’i falënderoj të gjithë për këtë fitore”. 

Trajneri Lee Jung-Hyo është shprehur krenar për paraqitjen e ekipit, por ka theksuar se ekipi duhet të jetë edhe më i saktë para portës. 

“Kemi krijuar shumë shanse por nuk kemi arritur t’i konvertojmë në gola. Kjo është një pjesë e fushës ku ne duhet të përmirësohemi. Por ne e kemi treguar futbollin e Gwangjut. Duhet të fokusohemi e të përmirësohemi në shënimin e më shumë golave. Të gjithë kanë përgjegjësi në përfaqësimin e ekipit dhe jam krenar për përkushtimin e tyre. Disa lojtarë duhet të shfaqin edhe më shumë kur ju jepet mundësia të luajnë. Gjithçka që unë bëj është për ekipin dhe lojtarët”, është shprehur trajneri i Gwangjut, Lee Jung-Hyo. 

Për Shanghai Shenhuan, skuadrën e elitës së futbollit kinez, ka qenë një tjetër ndeshje për të cilën trajneri Leonid Slutskiy, ka pasur shumë kritika. 

Ai ka thënë se ekipi që e drejton nuk e pati intensitetin e duhur. 

“Ishte ditë e vështirë për ne. Nuk luajtëm shpejtë dhe lëvizjet tona ishin të ngadalshme. Ne kemi qenë gjithmonë një hap prapa, në çdo aksion. Ekipi kundërshtar luajti më mirë dhe padyshim se e meritoi fitoren”, ka thënë Slutskiy. 

“Kemi luajtur nivel tjetër të futbollit sa i përket shpejtësisë. Nëse je i ngadalshëm dhe nuk lufton për topin e dytë, nuk ka rëndësi se çfarë taktike përdor. Kur nuk luan shpesh, e humb ritmin dhe kjo është shumë e rrezikshme. Lojtarët ishin shumë të nervozuar dhe nuk e kuptova me të vërtetë situatën. Ndeshjen e ardhshme e luajmë në shtëpi, por e dimë se do të jetë vështirë për t’i marrë pikët e plota. Megjithatë, ne po ashtu e kuptojmë se nuk kemi tjetër zgjidhje, përveç se të provojmë”. 

Gwangju ndeshjen e ardhshme e luan ndaj një tjetër skuadre kineze, atë kundër Shanghai Port FC, të martën. 

Ndërkohë, Shanghai Shenhua ballafaqohet me Ulsan HD FC të Republikës së Koresë. 

Asani realizoi “hat-trick” në fitoren 7:3 ndaj Yokohamas së Japonisë në xhiron e parë. Gwangju fitoi më pas 1:0 ndaj Kawasaki Frontale të Japonisë, po ashtu me gol të Asanit. Në xhiron e tretë shënoi dy herë ndaj Johor Darul Ta’zim të Malajzisë, në fitoren 3:1. Të mërkurën ishte goli i radhës për të. Pra, ka shënuar gola në të gjitha katër fitoret e skuadrës nga Koreja e Jugut. 

Cristiano Ronaldo në Championsin aziatik i ka katër gola në total. 

Nga pesë gola i kanë Anderson Lopes i Yokohamas dhe Matias Vargas i Shanghait. 

Me fitoren e mesjavës, Gwangju është në vendin e dytë me 12 pikë, ndërsa Vissel Kobe nga Japonia e udhëheq grupin e Lindjes me 13 pikë. Në këtë grup janë 12 skuadra nga Japonia, Koreja e Jugut, Kina, Tajlanda, Australia dhe Malajzia. 

Në grupin e Perëndimit janë skuadrat nga Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani, Uzbekistani dhe Iraku.