Futboll

Hyseni e Abdullahu shpresojnë paraqitje të mirë ndaj Norvegjisë

Hyseni e Abdullahu shpresojnë paraqitje të mirë ndaj Norvegjisë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të shtunën e ka mbajtur seancën e tretë stërvitore para duelit kundër Norvegjisë që luhet më 5 qershor.

Pas stërvitjes Muhamet Hyseni dhe Mustafë Abdullahu janë prononcuar për faqen zyrtare të FFK-së, dhe janë shprehur që në ndeshjen ndaj Norvegjisë, shpresojnë që të arrijnë një rezultat pozitiv. 

“Unë kam qenë edhe pjesë e Kombëtares U21 dhe jam duke u kënaqur dhe shijuar këtë moment. Djemtë më kanë mirëpritur shumë mirë, adrenalina është shumë e mirë dhe presim të kemi rezultat të mirë. Atmosfera është shumë e mirë, trajneri na ka pritur mirë, gjithçka është duke shkuar në rregull dhe shpresoj të kemi ecuri të mirë. Kundër Norvegjisë presim lojë të mirë dhe të tregojmë atë çfarë kemi bërë në stërvitje”, ka thënë Abdullahu.

Ndërsa sulmuesi i Llapit, Muhamet Hyseni ka shtuar se presin përkrahje nga tifozët në Oslo për ndeshjen ndaj Norvegjisë.

“Sot ishte seanca e tretë stërvitore, kemi kaluar shumë mirë dhe grupi po funksionon mirë. Trajneri po punon në aspektin taktik dhe po përgatitemi maksimalisht për miqësoren me Norvegjinë. Shpresoj të paraqitemi mirë dhe me një rezultat të kënaqshëm për ne. Shpresoj që në Oslo të na presin një numër i madh i bashkatdhetarëve sepse kemi nevojë për përkrahjen e tyre për t’u paraqitur sa më mirë”, është shprehur Hyseni.

Seancën e radhës stërvitore Dardanët e zhvillojnë të dielën në orën 11:00 në Kampin Nacional në Hajvali.