Futboll

Humbje shumë e thellë e Kosovës nga Uellsi, 6:0

Uells-Kosovë

Futbollistet e Kosovës nuk i kanë bërë ballë cilësisë së lojtareve të Uellsit. Të martën pasdite në Podujevë, uellsianet kanë dominuar plotësisht dhe kanë fituar thellë, 6:0.

Ndeshja i takoi kualifikimeve për Euro 2025, përkatësisht Ligës B. Uellsi ishte favorit i madh para ndeshjes dhe këtë e dëshmoi në fushën e lojës në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Për Kosovën është humbja e dytë në këto kualifikime. Të premten në Antalya ishte mposhtur 2:0 nga Ukraina. Ndërkohë Uellsi kishte fituar 4:0 ndaj Kroacisë.

Rachel Rowe shënoi golin e parë në ndeshje, në minutën e 30-të. Kayleight Barton shënoi për 2:0 në minutën e 44-t. Rowe shënoi tjetër gol në minutën e 60-të, ndërsa menjëherë në minutën e 62-të realizoi Ffion Morgan. Elise Hughes realizoi dy golat e fundit, në minutën e 85-të dhe 93-të.


4:0 për Uellsin në Podujevë

Uellsi e ka shënuar edhe golin e katërt ndaj Kosovës. 

Menjëherë në minutën e 62-të, Ffion Morgan realizoi me asistim të Rachel Rowe.


Uellsi në epërsi 3:0 ndaj Kosovës

Uellsi po udhëheq 3:0 ndaj Kosovës në “Zahir Pajaziti”. 

Rachel Rowe shënoi për 3:0 në minutën e 60-të. Për Rowen ishte goli i dytë i ndeshjes kualifikuese për Euro 2025.


Uellsi e ka shënuar edhe golin e dytë në ndeshjen ndaj Kosovës, që po zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Për 2:0 realizoi Kayleigh Barton në minutën e 44-t. Ajo realizoi pas asistimit të bukur nga kapitenia Jessica Fishlock.

Me rezultatin 2:0 përfundoi pjesa e parë.


Uellsi ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Kosovës në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Për 1:0 shënoi futbollistja Rachel Rowe. Ajo realizoi në minutën e 30-të me goditje nga distanca.