Futboll

Humbje e thellë e Kosovës U21

U21

Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll kishte pesë ndeshje pa humbje. I duhej fitorja ndaj Polonisë për të mbetur në garë për kualifikim në Evropianin 2025.

Por të premten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova U21 pësoi humbje të thellë, 4:0. Dhe kështu Evropiani mbetet ëndërr e largët për Shpresat e Kosovës.

Kosova U21 ka pasur telashe të mëdha në pjesën e parë, sidomos në mbrojtje. Portieri Mustafë Abdullahu ishte në natë të keqe.

Marius Fornalczyk shënoi për 1:0 në minutën e 21-të. Menjëherë në minutën e 25-të, Filip Szymczak shënoi golin e dytë për Poloninë. Dominik Marczuk realizoi për 3:0 në minutën e 30-të, ndërsa Jakub Kaluzinki shënoi golin e katërt nga penalltia në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.

Pjesa e dytë ishte formalitet. Fitoja e Polonisë nuk është rrezikuar për asnjë moment.

Një xhiro para fundit të kualifikimeve, Kosova është e katërta në Grupin D me 12 pikë, sa i ka Bullgaria në vendin e tretë. Polonia është e dyta me 21 pikë dhe do të paraqitet në plejof. Grupin e ka fituar Gjermania që i ka 25 pikë. Gjermania kualifikohet direkt në Evropian.

Të martën, Kosova U21 e luan ndeshjen e fundit në këtë cikël kualifikues. Përballet me Estoninë në Tallin.