Kosova nuk e kishte pësuar asnjë humbje në edicionin e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Ishte në Grupin 5 të Ligës C, që është niveli i tretë, ndërsa e fitoi grupin me tri fitore e një barazim.
Futbollistet e Kosovës kishin dy fitore ndaj Maqedonisë së Veriut dhe një fitore e një barazim me Bullgarinë. Me bullgaret barazuan në udhëtim.
Kosova po garon në Ligën C edhe në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Por tashmë ka humbje, madje në shtëpi.
Pas fitores 4:0 ndaj Maqedonisë së Veriut, të premten në Shkup, Kosova të martën luajti në “Fadil Vokrri” me Letoninë. Humbi me rezultatin 1:0.
Humbja vlerësohet goditje e rëndë për përfaqësuesen e futbollisteve, që drejtohet nga Sami Sermaxhaj. Ka shumë arsye që humbja është e rëndë.
Vendi i parë në grup, që synohet nga Kosova, tashmë është goxha në rrezik. Letonia e ka ndeshjen e dytë ndaj “Dardaneve” në shtëpi dhe rrjedhimisht është në pozitë më të favorshme. Letonia, të paktën bazuar në ranglistën e FIFA-s, është përfaqësuese më e dobët se Bullgaria.
Kosova është e 94-a në ranglistë, Bullgaria e 96-ta e Letonia e 117-ta. Maqedonia e Veriut është e 130-ta.
Kosova kishte fituar 1:0 ndaj Letonisë më 6 prill të vitit 2023, në një miqësore në Bullgari.
Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Letonia ishte vetëm e dyta në një grup të zbehtë në Ligën C, ku ishin edhe Malta, Andorra e Moldavia. Për promovim në Ligën B kishte humbur 3:0 e 6:0 nga Sllovakia.
Në kualifikimet për Euro 2025, Kosova luajti në Ligën B, pra në një nivel më të lartë, ndërsa Letonia ishte në Ligën C. Mbeti prapa Sllovenisë.
Ka pasur optimizëm që Kosova do t’i përfundojë pa humbje katër ndeshjet në Ligën C dhe do të kthehet sërish në ligën B. Por, tani rruga është më e vështirë.
Selektori Sermaxhaj ka pranuar se “rikuperimi” i pikëve të humbura të martën mund të jetë i pamundur. Ai ka mohuar mundësinë që ndeshja me Letoninë të jetë neglizhuar.
“Kemi marrë masat që këtu në ‘Fadil Vokrri’ të dalim fitues, për arsye se është marrë me katër ndeshje dhe gabimet janë të rënda që nuk mund t’i rikuperosh. Kundërshtari na befasoi me vendosjen e ekipit, me sistemin e lojës”, ka thënë Sermaxhaj.
Ndonëse Letonia ka zhvilluar shumë ndeshje, te Kosova nuk kishin informatat më të mira për këtë përfaqësuese.
“Kemi parë vetëm disa sekuenca nëpërmjet internetit dhe ideja ka qenë që kundërshtari luan zakonisht me sistemin 4-2-3-1 e në këtë rast luajti me 3-5-2, që neve na vuri në vështirësi, sidomos në pjesën e parë, që t’i vendosim idetë tona. Në pjesën e dytë morëm masa, ideja ishte që kundërshtarin ta detyrojmë të luajë në mesin e fushës. Aty të bëjmë presion, për arsye se kemi forca shumë të mira të bëjmë presion. Por kundërshtari nuk e aplikoi atë lojë. Luante me topa të gjatë dhe për ne ishte e vështirë dhe jo mjaftueshëm të përgatitur për një mënyrë të tillë të lojës”, ka shtuar Sermaxhaj. Ai është optimist se Kosova do të fitojë grupin në fund.
Kjo megjithatë nuk do të jetë e lehtë. Më 8 prill Kosova e pret Maqedoninë e Veriut. Më 3 qershor është ndeshja e fundit e kësaj kampanje, Letoni – Kosovë. Mund të jetë “finale” për vendin e parë.