Pas largimit të Gareth Southgatet nga pozita e selektorit të Anglisë, shumë emra të trajnerëve kanë qarkulluar për t’i udhëhequr “Tre Luanët”. Njëri prej tyre është edhe trajneri i Newcastle Unitedit, Eddie Howe.
Howe të shtunën është shprehur se është i lumtur me skuadrën që ai e drejton, dhe nuk është duke menduar për ndonjë marrëveshje me Federatën e Futbollit të Anglisë.
“Në të vërtetë, nuk kam menduar për asgjë tjetër dhe kam qenë shumë i përkushtuar ndaj punës këtu. Për sa kohë që jam i lumtur dhe ndihem i mbështetur e ndjehem i lirë ta bëj punën që më pëlqen te Newcastle, do të jem shumë i lumtur. Jam absolutisht i nderuar dhe i privilegjuar që jam trajner i Newcastlet. Shpresoj që të jem edhe për shumë vjet. Jam i vendosur të fitoj trofe me Newcastlen”, theksoi Howe.
Southgate ditë më parë njoftoi për largimin e tij nga Anglia pas humbjes së dytë radhazi të Anglisë në finalen e Kampionatit Evropian. Anglia në “Euro 2024” u mposht në finale nga Spanja 2:1, ndërsa para tre vjetësh, kishte humbur nga Italia pas ekzekutimit të penalltive.