Pas diskutimeve që kanë nisur që prej muajit janar mes kryetarit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe atij të Italisë, Gabriele Gravina, është marrë vendim historik.
Futbollistët shqiptarë në Itali nga edicioni i ardhshëm, do të konsiderohen si futbollistë vendor.
Kështu ka shkruar të shtunën kryetari i FSHF-së, në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
“Një vendim historik, një lajm i mirë për futbollistët dhe futbollin shqiptar, që vjen edhe pas diskutimeve në janar me presidentin e FIGC, Gabriele Gravina. Komiteti Ekzekutiv në Federatën Italiane të Futbollit ka vendosur që t’i konsiderojë futbollistët shqiptarë si vendas në sezonin 2024-25. Kjo është një mundësi shumë e mirë për futbollistët shqiptar, që të kenë mundësi të garojnë në një prej kampionateve më të forta në Evropë”, ka shkruar kryetari i FSHF-së.
Ndërkohë, FSHF-ja në faqen zyrtare ka shkruar se në marrjen e këtë vendimi, kontribut të rëndësishëm ka dhënë kryeministri Edi Rama, pas vizitave të tij qeveritare në Itali.