Portieri i Gjilanit, Kenan Haxhihamza, është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ishte komisioni i veteranëve të futbollit, ai që ka vlerësuar Haxhihamzan si më të mirin pas paraqitjeve të mira që i pati në ndeshjen ndaj Llapit.
Gjilani fitoi 1:0 ndaj Llapit me golin e shënuar nga Sabit Bilali.
“Është rëndësishme që kemi fituar ndeshjen e parë sepse është një hap i rëndësishëm për hapjen e sezonit. Kjo është një rezultat i punës që kemi bërë në fazën përgatitore. Sa i përket kundërshtarit, ne jemi takuar edhe dy herë më parë me Llapin në këtë kampionat dhe kemi pasur rezultate pozitive. I njohim pikat e dobëta dhe të forta të tyre. Çmimin ia dedikoj të gjithë atyre që kanë investuar në mua që nga dita e parë, gjithashtu bashkëlojtarëve të cilët kanë derdhur djersë që rezultati i ndeshjes të mbrohet”, ka thënë Haxhihamza të martën për faqen zyrtare të FFK-së.