Futboll

“Hat-tricku” e afron Asllanin me Bundesligën dhe e fut në garë për më të mirin

Fisnik Asllani

Bundesliga.de – Edhe pesë xhiro kanë mbetur deri në fund të edicionit në Bundesliga 2. Elversbergu është ende fuqishëm në garë për promovim në Bundesligë. Faktori kryesor në suksesin e këtij ekipi është Fisnik Asllani, që ka shpresa të shpallet golashënuesi më i mirë.

Trajneri i Hannoverit, Andre Breitenreiter, i ka vlerësuar Asllanin dhe bashkëlojtarin e tij, Muhammed Damar si “futbollistë që mund të bëjnë dallimin”, para ndeshjes me Elversbergun, të zhvilluar të shtunën.

Ai kishte të drejtë. Asllani e bëri dallimin.

Në minutën tetë shtesë, Asllani shënoi për herë të tretë për Elversbergun, për ta kompletuar “hat-trickun” e përkryer. Të gjithë tre golat në fitoren 3:1 u shënuan nga 22-vjeçari. Për herë të parë Asllani ka shënuar tre gola në një ndeshje të Bundesliga 2 të Gjermanisë.

Ishte momenti më i mirë i sulmuesit këtë edicion, deri më tani. Ai tani i ka 17 gola për Elversbergun këtë edicion në kategorinë e dytë gjermane. Kosovari është i dyti në listën e realizatorëve. Davie Selke i Hamburgut i ka 19 gola. 

E njëjtë është situata edhe me skuadrën e Asllanit. Derisa dy golat e Selkes ndaj Braunschweigut të premten nuk i sollën skuadrës së tij pikë, sulmuesi i Elversbergut me golat e tij i siguroi tri pikë.

Elversbergu i ka 47 pikë në vendin e tretë të Bundesliga 2. Hamburgu udhëheq me 52, ndërsa Kolni i ka 51. Dy të parët në fund inkuadrohen në Bundesligë, ndërsa i treti luan në barazh. 

Pra ka gjasa që Asllani të përfundojë duke u promovuar në Bundesligë me Elversbergun. Edhe nëse kjo nuk ndodhë, është shumë e besueshme që ai do të luajë në kategorinë kryesore në edicionin e ardhshëm. Ai është i huazuar nga Hoffenheimi tek Elversbergu, njëjtë si Muhammed Damar. Dhe te Hoffenheimi pritet të kenë interesim për të përfituar nga lojtarët që bëjnë dallimin e që po zhvillohen aq mirë tek Elversbergu.

Për momentin, skuadra e Horst Steffen vazhdon të përfitojë nga kjo dyshe. Shansi i ardhshëm që Asllani të shënojë gola do të jetë të premten, kur Fortuna Dusseldorfi udhëton tek Elversbergu për derbin e xhiros së 30-të.