Futboll

Haris Isufi po shkëlqen te 2 Korriku, synon të shkojë hapave të babait

Haris Isufi

Kur Sheremet Isufi ndodhej në situatë për gol, të tjerët bëheshin gati për t’iu bashkuar në festë.

Dëshmi janë statistikat e publikuara nga klubet ku Isufi, i njohur si Shera, ka bërë karrierë të madhe.

Hapave të Sherës, që ishte sulmues i spikatur në futbollin kosovar, po shkon i biri i tij, Harisi.

17-vjeçari i talentuar shënoi dy herë në suksesin historik evropian të të rinjve të 2 Korrikut. Haris Isufi e di që për ta kaluar babin e tij i duhet goxha punë. Por synimin e ka ta arrijë e madje ta kalojë atë.

“Po besoj se do t’ia kalojë edhe pse ëndrra ime është të luajë në ndonjë klub evropian. Normalisht, tani mbetet të shihet”, ka thënë Haris Isufi në një bisedë për KOHËN.

Harisi të premten po zhvillonte stërvitje në stadiumin e 2 Korrikut, jo larg nga vendi ku Shera la gjurmë të pashlyeshme.

Sheremet Isufi mban rekordin për gola te shënuar te klubi më i madh në vend, Prishtina. Ai vazhdon të mbetet golashënuesi më i mirë i Prishtinës në kampionat, me 55 gola. Madje rekordi i tij as që rrezikohet.

Gjurmë në Kosove synon të lërë edhe Harisi.

“Natyrisht, babai ka qenë ndihmesë shumë e madhe, jam shumë krenar që e kam baba Sheremet Isufin. Është ndjenjë e mirë, më ka ndihmuar shumë në rrugëtimin tim. Besoj se do të më ndihmoj edhe më shumë. Ai më ka ndihmuar në çdo aspekt të lojës së futbollit. Normal që është model për mua. Të dy jemi sulmues. Unë bisedoj me të çdo herë. Si para ndeshjeve, si pas ndeshjeve. Gjithmonë. Marr edhe kritika e edhe lëvdata, çdo gjë”, ka shtuar 17-vjeçari.

Harisi me shaka tregon se si shokët e Sherës e ngacmojnë atë, duke thënë se djali i tij është më i mirë. Por pranon se ende është herët për një krahasim të tillë.

Harisi hapat e parë në futboll i bëri si nëntëvjeçar te shkolla e futbollit Lushta në Mitrovicë, që më vonë është shndërruar në shkollën e futbollit Trepça.

Deri në moshën 16-vjeçare është shquar me gola e asistime te të rinjtë e Trepçës dhe më pas i është bashkuar 2 Korrikut.

Me sukses po paraqitet edhe te skuadra kryeqytetase, ndonëse jo shumë kohë më parë e kaloi një lëndim në gju.

Me “verdhekaltrit”, Harisi arriti që ta kalojë raundin e parë të “UEFA Youth League”. Është hera e parë që një skuadër e të rinjve të Kosovës merr pjesë në këtë nivel garash. Kontribut te madh dha Haris Isufi që shënoi gola në të dyja ndeshjet që u fituan 2:1 ndaj Bylisit të Shqipërisë. Sulmuesi i talentuar shpreson në sukses edhe në raundin tjetër.

“Si fillim, ndjenja është e paharrueshme. Gëzimi është goxha i madh, si për mua, ashtu edhe për skuadrën. Gëzim edhe më i madh që kam kontribuuar edhe me gola, në lojën e parë dhe në të dytën. Besoj që do ta kalojmë kundërshtarin e dytë me angazhim 100 për qind dhe me punë si ekip. Besoj shumë që do ta kalojmë”, theksoi ai.

2 Korriku për kundërshtar në rundin e dytë do ta ketë skuadrën irlandeze, UCD FC. 

Ndeshjen e parë e luan në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë më 23 tetor, nga ora 14:00. Ndeshjen kthyese e zhvillon më 6 nëntor në Dublin.

Suksesi eventual do të varet edhe nga forma e Haris Isufit.