Futboll

Hajdari është gati të dëshmojë se mund të luajë për Zvicrën

Albian Hajdari

Vera e kaluar nuk ishte me shumë fat për Albian Hajdarin. Humbi finalen e Kupës së Zvicrës, u la jashtë listës finale të Zvicrës për Evropianin “Gjermania 2024” dhe mbeti pa u transferuar në Serie A.

Por mbrojtësi i Luganos nuk u dëshpërua. Vazhdoi punën me përkushtim të madh. Me Luganon është në garë për titull të kampionit, u ftua nga Zvicra për dy ndeshjet e këtij muaji dhe shumë shpejt pritet të bëjë hapin e madh në karrierë.

“Verës ka qenë një tjetër situatë, pasi humbëm finalen e Kupës së Zvicrës, trajneri mendoi se më mirë të mbetet ekipi që pati më shumë ditë në përgatitje për Evropian. Kemi pasur një bisedë të mirë dhe tash kjo ftesë tregon se edhe Zvicra ka plane me mua dhe jam pjesë e projektit afatgjatë. Tash nuk jam në mesin e shumë lojtarëve, por i përzgjedhur për dy ndeshjet e rëndësishme të Zvicrës”, ka thënë Hajdari për KOHËN.

Ai do t’i bashkohet për herë të parë përfaqësueses A të Zvicrës për ndeshjet shumë të rëndësishme në Ligën e Kombeve. Zvicra të premten e pret Serbinë në Zurich, ndërsa tri ditë më pas luan në udhëtim ndaj Spanjës.

Hajdari 21-vjeçar insiston se ftesa nga Zvicra është dëshmi për formën e mirë që ka treguar me Luganon.

“Unë jam shumë i lumtur për ftesën  e po ashtu edhe krenar, pasi kjo konfirmon formën time te Lugano. Dëshmon që kam ruajtur formën dhe nuk kam shkuar në rënie, por ka pasur ngritje të nivelit të paraqitjeve të mia. Jam shumë i lumtur që ka ardhur sërish ftesa e Zvicrës”, është shprehur Hajdari.

Në listën e gjerë të Zvicrës për Euro 2024 ishte edhe Uran Bislimi. Por dy lojtarët shqiptarë u eliminuan nga lista ende pa u grumbulluar me përfaqësuese.

Hajdari thekson se është gati t’i dëshmojë vlerat për ta bindur selektorin e Zvicrës, Murat Yakin t’ia japë rastin të paraqitet në fushë.

“Nëse do ta kem rastin të paraqitem në fushë, unë do ta jap maksimumin për ta treguar veten. Edhe gjatë përgatitjeve do ta jap maksimumin që t’ia bëj më të vështirë vendimin trajnerit Murat Yakin. Kjo është hera e parë për mua që njoftoj lojtarët dhe stafin. Është pozitive për mua që po ftohem për herë të parë, por unë jam gati për ta dhënë maksimumin. Se a do të luaj apo jo, vendos trajneri”, ka theksuar Hajdari.

Hajdari u lind në Binningen të Zvicrës, ndërsa rrënjët i ka nga Kamenica.

Ai me Luganon ka vazhduar kontratën deri në qershor të vitit 2028. Është ndër më të dalluarit te skuadra elitare e Zvicrës dhe shpejtë pritet të transferohet në ndonjë ligë më të madhe.

“Ka pasur shumë klube të interesuara, por Lugano nuk është marrë vesh me asnjë klub dhe ajo i takon të kaluarës. Tash fokusohem për të ardhmen. Kam nënshkruar kontratë të re pas shumë bisedave me klubin. Tash duhet ta shohim paraqitjet e mia dhe pastaj shohim se çfarë sjell e ardhmja. Duhet të bisedojmë së bashku për të ardhmen time”, ka theksuar Hajdari.

Ai ka luajtur ndeshje për Zvicrën nga grupmosha U15 deri U21. Tani ka rastin të debutojë edhe për ekipin A.

Krahas Hajdarit pjesë e Zvicrës janë edhe Granit Xhaka, Ardon Jashari dhe Andi Zeqiri.

Zvicra është e fundit me një pikë në Grupin 4 të Ligës A. Serbia është e treta me katër pikë. Spanja i prin tabelës me 10 pikë, derisa Danimarka ka shtatë.