Futboll

Hadërgjonaj e realizon penalltinë e katërt të edicionit

Florent Hadërgjonaj

Mbrojtësi i djathtë i Kosovës që aktivizohet te skuadra e Alanyasporit të elitës së futbollit të Turqisë, Florent Hadërgjonaj, e ka shënuar penalltinë e katërt të edicionit aktual. Për 30-vjeçarin ishte goli i tretë në Superligën e Turqisë, ndërsa një tjetër e ka në Kupë. 

Hadërgjonaj të dielën shënoi në fitoren 3:2 të skuadrës së tij në shtëpi ndaj Adana Demirsporit, skuadrës së fundit në tabelë.

Sulmuesi që u lind në Stamboll e që ka 11 paraqitje me U21 të Shqipërisë, Arda Kurtulan, shënoi autogol për rezultatin 2:1, në minutën e 63-të.

Hadërgjonaj e barazoi rezultatin në 2:2 pesë minuta më vonë, kur tregoi saktësi nga pika e bardhë.

Vendësit e shënuan edhe një tjetër gol në minutën e 90-të për fitoren e vështirë por të rëndësishme.

Hadërgjonaj u ndëshkua edhe me karton të verdhë në minutën e 96-të, dhe do të mungojë në ndeshjen tjetër.

Fidan Aliti luajti në tërë ndeshjen tek Alanyaspori.

Alanyaspori ka 31 pikë në mesi ne tabelës, teksa Adana Demirspori pas 24 ballafaqimeve të luajtura ka fituar vetëm tri pikë.