Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, deklaroi se synimi i skuadrës deri në përfundimin e këtij edicioni është që të kualifikohet në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm.
City pas 31 ndeshjeve të zhvilluara në Premier League ka 52 pikë dhe renditet në pozitën e gjashtë.
Pesë vendet e para dërgojnë në “Champions”.
Vendin e pestë e zë Newcastle Unitedi me 53 pikë por ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Kampioni në fuqi i Anglisë, City, ka dëshpëruar me rezultate këtë edicion.
“Sfida është të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Kemi një skuadër në top formë në këta dy muajt e fundit. Jam i kënaqur me mënyrën se si e trajtuam situatën e lëndimeve dhe ku jemi aktualisht”, ka thënë Guardiola të premten në konferencë për shtyp.
City ndeshjen e ardhshme në Premier League e ka të shtunën nga ora 13:30 me Crystal Palacen.
54-vjeçari Guardiola theksoi se është gjithmonë vështirë të luash ndaj Crystal Palace.
“Gjithmonë është e vështirë të luash ndaj Palacet. Unë e admiroj trajnerin Oliver Glasner dhe mënyrën se si luan. Por ne duhet të jemi optimistë për të përfunduar sa më mirë këtë sezon”, deklaroi Guardiola.