Mesfushori Kevin De Bruyne nuk do të largohet nga skuadra e Manchester Cityt. Kështu ka njoftuar trajneri i Cityt, Pep Guardiola, shkruan “Reuters”.
“Kevini nuk do të largohet nga City. Jam i kënaqur me skuadrën prej shumë vitesh. Nuk e di se çfarë do të ndodhë gjatë afatit kalimtar, por nëse dikush largohet, ne do të flasim për këtë. Por 95 për qind ne do të kemi të njëjtën skuadër. Ne kemi ndikuar në treg gjatë viteve dhe çdo situatë është e ndryshme. Ndihem rehat sepse cilësia që kemi në skuadër është e vështirë të zëvendësohet”, deklaroi Guardiola.
Për mesfushorin belg, De Bruyne, kanë shprehur interesim disa skuadra nga Arabia Saudite.
33-vjeçari ka kontratë me skuadrën angleze deri në verën e vitit 2025.