Futboll

Grumbullohet përfaqësuesja, ka optimizëm për fitore

Franco Foda

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, është shprehur optimist për fitore në ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve, ndaj Rumanisë. 

Në konferencë për media, të hënën, Foda ka thënë se ekipi përfaqësues është maksimalisht i motivuar për fitore ndaj rumunëve. Kosova ende nuk ka shënuar fitore ndaj Rumanisë. 

“Kemi përfunduar ndeshjet miqësore dhe tani do të përgatitemi për Ligën e Kombeve. Të gjithë futbollistët janë në formë të mirë. Për këtë lojë të parë në shtëpi jemi jashtëzakonisht të motivuar dhe të gëzuar dhe do të bëjmë gjithçka që ndaj Rumanisë të fitojmë”, ka thënë Foda. 

Të premten, përfaqësuesja e Kosovës luan ndaj Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e parë të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Më 9 shtator “Dardanët” luajnë ndaj Qipros në Larnaca. 

Nën drejtimin e gjermanit Foda, Kosova ka luajtur tri miqësore. Fitoi 1:0 ndaj Armenisë në Jerevan më 22 mars, ndërsa më 26 mars pësoi 2:0 nga Hungaria në Budapest. Më 5 qershor humbi edhe nga Norvegjia, 3:0, në Oslo.

Foda ka theksuar se në repartin ofenziv ka zgjedhje të mjaftueshme për ndeshjen ndaj Rumanisë. Vedat Muriqi e Albion Rrahmani janë sulmuesit kryesorë, por janë të paktën edhe tre sulmues tjetër të qendrës. Foda është i lumtur që ka luksin të zgjedh mes sulmuesve në superformë. Pos Muriqit e Rrahmanit ka përmendur edhe të tjerët.

“Në repartin ofenziv ne kemi zgjidhje të mjaftueshme. Kemi Asllanin, e kemi Bujupin, e kemi Selmanin që javët e kaluara ka shënuar mjaft gola me ekipin e tij. Kemi Albionin, po ashtu kemi edhe Rashicën që mund të luaj edhe në qendër të sulmit, por edhe si sulmues i krahut. Tashmë kemi përgatitjet dhe në seancat stërvitore futbollistët do ta tregojnë formën e tyre. Dhe në bazë të angazhimit të tyre ne do të shohim se si do të startojmë ndaj Rumanisë. Kemi edhe Edon Zhegrovën në dispozicion. Ai tashmë me trajnerin e ri ka ndërruar pozicion dhe mund të luaj në qendër të sulmit por edhe prapa qendrës së sulmit dhe do kemi mjaftueshëm opsione për sulm”, u shpreh selektori Foda. 

Foda të hënën ka treguar se futbollistët Muharrem Jashari dhe Bujar Pllana kanë qenë në bisedime për t’u ftuar te Kosova. 

“Muharrem Jashari dhe Bujar Pllana kanë qenë pjesë e bisedimeve gjatë publikimit të listës së futbollisteve për ndeshjet e shtatorit, por duke parë që kemi futbollistë të tjerë në dispozicion kemi vendosur që këta dy futbollist të mos jenë pjesë e ekipit për këto dy ndeshje. Por ne do ta përcjellim formën e tyre në vazhdimësi dhe nëse e tregojnë formën e tyre më të mirë në vazhdimësi ne do t’i ftojmë”. 

Tekniku gjerman beson që Kosova do ta përfundojë garën në vendin e parë në grup. 

Në grup është edhe Lituania, me të cilën Kosova ndeshjen e parë e luan më 12 tetor në Kaunas.

Menaxheri i përfaqësueses A të Kosovës, Bajram Shala, ka treguar që Mirlind Kryeziu mungon për shkaqe shëndetësore. Për shkaqe shëndetësore mungojnë edhe Bernard Berisha e Ismet Lushaku, që ishte në listën e gjerë të selektorit.

Shala ka thënë se Besfort Zeneli, vëllai i Arbër Zenelit ka refuzuar ftesën e Kosovës për ndeshjet e shtatorit. Ka pasur raportime se ai po e pret Suedinë.

“Besforti ka pasur ftesën për këtë kamp.  Ka vendosur të mos jetë pjesë e kampit për këto ndeshje. Do të bisedojmë prapë, por për këto ndeshje, Besforti ka vendosur të mos jetë pjesë e ekipit”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës, çështja e Donis Avdijajt është e mbyllur për FFK-në. Pra ai nuk pritet të luaj më për Kosovën.

“Çështja e Donis Avdijajt për FFK-në është e mbyllur për një kohë shumë të gjatë, që nga periudha e fundit kur ai ishte në ekipin kombëtar, për shkak të një incidenti të atëhershëm. Ishte një vendim intern që iu komunikua futbollistit. Për këtë arsye ai nuk ishte në grumbullimet e kaluara dhe nuk është as tash. Tani fokusohemi të futbollistët që janë këtu”, ka thënë Shala.

Kosova me Rumaninë luajti edhe në kualifikimet për “Euro 2024”. Në Prishtinë barazoi, ndërsa në Bukuresht humbi 2:0.

Tani synohet fitorja e parë.