Adrion Pajaziti është gati të debutojë për Shqipërinë, nëse selektori Sylvinho ka nevojë për shërbimet e tij.
Kuqezinjtë janë grumbulluar të hënën në Tiranë, ndërsa Pajaziti është emri i vetëm i ri. Ai deri më tani ka luajtur për U21 të Shqipërisë, ndërsa shkëlqeu në ndeshjen e kaluar duke i realizuar dy gola ndaj Zvicrës. Dhe shpërblimi erdhi me ftesë në Kombëtaren A.
Pajaziti është mesfushori i Fulhamit në Angli, ndërsa aktualisht po paraqitet për Goricën në Kroaci, ku është i huazuar.
“Besoj që jam gati, pasi jam në formë të mirë. Kam pasur një fazë përgatitore shumë të mirë me Fulhamin. Kam luajtur ndeshje dhe kam shënuar gola. Tani kam kaluar huazim në Kroaci. Jam në formë të mirë fizike dhe kam shumë besim te vetja. Po të më jepet shansi, jam gati ta shfrytëzoj atë”, ka thënë Pajaziti në konferencë për shtyp.
Ai ka treguar se luan si mesfushor ofensiv, por mund të mbulojë edhe pozita të tjera, varësisht nga kërkesat e trajnerit.
Është pyetur nëse kanë ndikuar dy golat ndaj Zvicrës për marrjen e ftesës nga Kombëtarja A.
“Duhet ta pyes trajnerin për të ditur arsyen pse më zgjodhi. Ka qenë një ndeshje e mirë, jo vetëm nga unë por nga të gjithë lojtarët. Kur shënon dy gola sigurisht që është një moment i mirë dhe besoj se jo vetëm ajo ndeshje, por edhe forma që jam duke e kaluar te klubi kanë ndikuar”, ka thënë Pajaziti.
Atë e pret konkurrencë shumë e fortë. Mesfusha vlerësohet reparti më i kompletuar i kuqezinjve, me lojtarë si Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Qazim Laçi e Amir Abrashi.
Pajaziti te Shqipëria vlerëson lart Asllanin e Bajramin, që mund të jenë konkurrentët direkt të tij.
“Dua të tregoj veten gjatë këtij grumbullimi dhe të marr sërish ftesë. Të jem lojtar i afirmuar në Kombëtare dhe dua që të kualifikohem në Botëror”, ka shpalosur synimet Pajaziti, që ishte pjesë e Kosovës U21 e më pas kaloi te Shqipëria U21.
Shqipëria të premten mbrëma luan në Pragë ndaj Çekisë. Më 14 tetor luan ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi.
Mbrojtësi Arlind Ajeti është kthyer në ekip, pasi mungoi në dy ndeshjet e shtatorit.
“Kemi kualitet dhe mund t’ia dalim ndaj çdokujt, por nuk do të jetë e lehtë. I dimë cilësitë e Çekisë me të cilën kemi luajtur dy herë. Gjeorgjia ka shumë kualitet, luan futboll shumë të shpejtë dhe të shohim si do t’ia dalim. Por kam shumë besim”, ka thënë Ajeti, që ishte përkrah Pajazitit të hënën në konferencë për shtyp.
“Cilësitë i kemi për të dalë fitues. Duhet të bëjmë maksimumin, të shfrytëzojmë cilësitë që kemi dhe të besojmë, pasi janë dy ndeshje shumë të vështira”, ka shtuar mbrojtësi i qendrës.
Shqipëria është në Grupin 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Më 7 shtator fitoi 2:1 ndaj Ukrainës në Pragë. Të njëjtë ditë, Gjeorgjia fitoi 4:1 ndaj Çekisë. Më 10 shtator, Shqipëria humbi 1:0 nga Gjeorgjia në Tiranë, ndërsa Çekia fitoi 3:2 ndaj Ukrainës. Kështu që grupi është shumë i fortë dhe shumë i hapur.