Futboll

Gruda i bashkohet Gjermanisë në kampin përgatitor për Euro 2024

Brajan Gruda

Dy futbollistët premtues, Brajan Gruda dhe Rocco Reitz, do t’i bashkohen në kampin stërvitor futbollistëve që ishin të përfshirë në listën preliminare të selektorit Julian Nagelsmann, për Evropianin e këtij viti.

Kështu ka njoftuar të enjten Federata e Futbollit e Gjermanisë, ndërsa grumbullimi ka nisur në Blankenhain.

Pasi disa prej 27 lojtarëve të ftuar më herët nga Nagelsmann do të mungojnë në nisje të përgatitjeve për shkak të angazhimit në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampionëve, Nagelsmann ka ftuar dy lojtarët perspektivë, Grudën e Mainzit dhe Reitzin e Moenchengladbachut.

Ata janë ftuar për “t’iu dhënë mundësia ta tregojnë veten në ekipin senior”.

Gruda dhe Reitz janë prej lojtarëve kryesorë të Gjermanisë U21.

Gjermanisë ende nuk i janë bashkuar Robert Andrich, Jonathan Tach dhe Florian Wirtz nga kampioni i Gjermanisë, Bayer Leverkuseni, si dhe Toni Kroos, Antonio Ruediger të Real Madridit, si dhe Nico Schlotterbeck dhe Niclas Fuellkrug të Borussia Dortmundit.

Gruda 19-vjeçar dhe Reitz 21-vjeçar, do të jenë pjesë e kampit stërvitor të Gjermanisë deri të premten e ardhshme.

Më pas futbollistët e listës preliminare të selektorit Nagelsmann do të shkojë në kampin stërvitor të Evropianit në Herzogenaurach.